Policia e Kosovës, konkretisht Departamenti i Policisë Kufitare ishte pjesë e operacionit policor të quajtur ‘Marewood’, një iniciativë e përbashkët ndërkombëtare në me Policinë e Shqipërisë dhe strukturave kundër krimit në Mbretërinë e Bashkuar (National Crime Agency & Border Force).
Mijëra funta të padeklaruara (rreth 11 mijë euro) janë gjetur në kuadër të këtij operacioni që u konsiderua se “ka rezultuar me sukses”.
“Ky operacion policor ka rezultuar me sukses, ku javën e kaluar zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, kanë ndaluar një person tek i cili gjatë kontrollit i janë gjetur 9845 funta të padeklaruara në kartëmonedha të letrës, të cilat dogana, pas kalkulimit të kursit, ka konfirmuar se janë diku rreth 11385 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Bashkëpunime dhe operacione të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, pasi që qëllimi i tyre është goditja e transportit të parave, veçanërisht atyre të destinuara për financimin e aktivitetit kriminal (pastrim parash), parandalimi i trafikimit të armëve dhe drogës nëpërmjet vendkalimeve kufitare, si dhe frenimi i migracionit të paligjshëm, në kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë”, thotë Policia.