Autoritetet kosovare kanë filluar zbatimin e një plani operativ, mbi bazën e të cilit është formuar një grup pune që do të merret ekskluzivisht me ngacmimin seksual të grave në veriun e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Në grupin e punës janë përfshirë policia për rendin dhe qetësinë publike, pjesëtarë të policisë kufitare, një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa grupi do të monitorohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe EULEX-i [Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit]”, ka thënë Elshani.
Më 14 maj, Radio Evropa e Lirë raportoi për denoncimet gjithnjë e më të shpeshta për ngacmime seksuale ndaj grave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gratë që kanë pohuar se kanë përjetuar këto përvoja të pakëndshme kanë dëshmuar për REL-in për frikën dhe zemërimin që ndiejnë, por edhe për mungesën e besimit në institucionet që, sipas tyre, nuk kanë reaguar në mënyrë adekuate.
Më pas, ministrja në detyrë e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, më 23 maj vizitoi Mitrovicën e Veriut për të biseduar për këtë çështje me përfaqësues të Policisë dhe të Prokurorisë.
“Çdo raportim për ngacmim seksual dhe dhunë, pavarësisht etnisë apo vendndodhjes së viktimës do të trajtohet me profesionalizëm”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Haxhiu u ka bërë thirrje të gjitha grave të cilat përjetojnë ngacmim seksual që rastet t’i raportojnë menjëherë në institucionet përkatëse.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual është çdo “formë e sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”. Dënimi për këtë vepër penale mund të jetë me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Gratë në veri të Kosovës, deri më tani, zakonisht nuk i kanë raportuar rastet e ngacmimit seksual sepse, sipas tyre, nuk kanë besim në Polici.
Elshani ka thënë për REL-in se këtë vit janë hapur tri raste të ngacmimit seksual, por në disa raste Policia nuk ka pasur prova të mjaftueshme përpara Prokurorisë.
Shpresa është që plani operativ të jetë i suksesshëm dhe që të mos ketë më nevojë të raportohen raste të tilla.
Sipas Elshanit, një pjesë e planit operativ është që në pesë rrugët kryesore në Mitrovicën e Veriut të vendosen nga dy policë me kamera në uniformë, që do të monitorojnë çdo ngacmim të mundshëm ndaj grave.
“Njëri ose të dy policët flasin gjuhën serbe, pika statike është në Lagjen e Boshnjakëve [një lagje shumetnike në Mitrovicën e Veriut], ndërsa gjatë natës angazhohen edhe hetues civilë. Do të ndalohen të gjithë personat e dyshimtë, ose ata që ngasin vetura me xhama të errët”, ka treguar Elshani.
Ai ka theksuar se Policia është e pranishme gjatë gjithë kohës në rrugët e komunave në veri të Kosovës, por se me planin e ri operativ është nisur me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, për shkak të “aktualizimit të problemit”.
Plani operativ do të zgjasë tre muaj, ndërsa pas kësaj periudhe do të shqyrtohet nëse ka nevojë për zgjatje.
Aktivistja shumëvjeçare për të drejtat e grave nga Mitrovica e Veriut, Ruzhica Simiq, ka thënë për REL-in se plani operativ është një “fillim pozitiv” në parandalimin e dhunës seksuale në veri të Kosovës, por se Policisë së Kosovës i duhet trajnim në këtë fushë.
“Ngacmimi seksual është një problem në të gjithë Kosovën. Këtu, [në veri], kjo vepër penale lidhet me aspektin etnik, pra kryesisht preken gratë serbe, por gjithashtu preken edhe gratë boshnjake dhe të gjitha gratë e tjera në veri”, është shprehur Simiq.
Ajo ka shtuar se tani duhet kohë për të parë rezultatet e planit, dhe vetëm në rast të rezultateve pozitive do të rritet besimi në institucione.
Sipas saj, për të pasur më shumë besim të serbëve në institucionet e Kosovës, është e nevojshme që bashkëkombësit e tyre të kthehen në polici dhe gjyqësor, institucione të cilat i kanë braktisur në vitin 2022, për arsye politike.
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX – në përgjigje për REL-in ka thënë se është në dijeni për raportimet mbi ngacmimet seksuale në të gjithë Kosovën, veçanërisht në veri, dhe se i merr shumë seriozisht këto raste.
Një grup organizatash joqeveritare serbe iu drejtua më 12 maj komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht EULEX-it, me pyetje nëse po i ndjekin dhe dokumentojnë rastet e ngacmimeve ndaj grave dhe vajzave në veri të Kosovës, dhe “cilat janë hapat konkretë që ndërmarrin kur identifikojnë mangësi sistematike në punën e Policisë së Kosovës në lidhje me mbrojtjen e qytetarëve nga komunitetet joshumicë”.
Nga EULEX-i thonë se e kanë pranuar këtë kërkesë të shoqërisë civile, se kanë kthyer përgjigje dhe se kanë përsëritur se “shkelja e të drejtave të njeriut dhe format e dhunës me bazë gjinore” janë të papranueshme dhe se i dënojnë ashpër.
“Ne kemi përsëritur përkushtimin tonë të fortë për të mbështetur institucionet dhe shoqërinë kosovare në përpjekjet e tyre për të çrrënjosur të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, duke kujtuar kapacitetet tona të forta monitoruese dhe rolin këshillëdhënës për të ndihmuar në forcimin e përpjekjeve të Policisë së Kosovës të fokusuara në komunitet”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Organizata joqeveritare Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, më 29 maj organizoi një diskutim publik mbi “sfidat e sigurisë dhe besimit”, marrëdhëniet ndërmjet Policisë dhe komunitetit në veri të Kosovës, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të institucioneve lokale, partive politike dhe organizatave ndërkombëtare.
Në këtë diskutim, përfaqësues të komunitetit serb ngritën problemin e ngacmimit seksual verbal dhe shprehën “shqetësim për mosrespektimin e ligjit”.
“Gjatë diskutimit të hapur, u theksuan sfidat kryesore dhe ndryshimet e nevojshme për të përmirësuar besimin dhe sigurinë në veri të Kosovës”, u tha në njoftim.
Aktiv shtoi se diskutimi tregoi edhe “nevojën urgjente për forcimin e besimit të ndërsjellë midis Policisë dhe qytetarëve”, si dhe për vendosjen e mekanizmave më efikas për raportimin e problemeve.