Pjesëtarë të agjencisë serbe të inteligjencës (BIA) në bashkëpunim me MUP-in (Ministrinë e Brendshme) të Serbisë, në një shou të përgatitur me kamera, e kanë arrestuar mëngjesin e sotëm në pikëkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdar Sasha Gjorgjeviqin nga Shtërpca.
Mediumi serb në Kosovë “Kosovo Online” shkruan se ai “ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, ndërsa ka publikuar një video të arrestimit.
Gjorgjeviq shkruhet se është i punësuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë.
Siç pretendon mediumi serb, ai “për një periudhë të gjatë ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë – Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISh) përmes Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), sipas detyrave të së cilës ka ndërmarrë veprime të drejtuara kundër interesave të komunitetit serb në Kosovë dhe të Serbisë në atë rajon, si dhe në drejtim të mbledhjes së të dhënave për pjesëtarët e strukturave të sigurisë serbe”.
Për këto shërbime që pretendohet se i ka kryer ai, “Kosovo Online” shkruan se “ka marrë para nga shqiptarët”.
Shërbimet serbe “kanë konstatuar se Gjorgjeviq ka qenë në kontakt me një pjesëtar të AKI-së nga Ferizaj, ish-pjesëtar të UÇK-së”.
Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, pas së cilës ai pritet t’i dorëzohet prokurorisë kompetente me kallëzim penal, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të spiunazhit.