Tre policë i kanë shkelur autorizimet e tyre duke ushtruar dhunë ndaj një qytetari të shtunën në Klinë.
Njëri nga policët, siç shihet në pamje, e godet pa ndalur në trup dhe fytyrë qytetarin, i cili nuk duket se reziston për t’u prangosur.
Inspektorati Policor i Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka rekomanduar suspendimin e tre policëve, të cilët janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë.
“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”, thuhet në njoftimin e IPK-së.