Derisa ende po vazhdon ekzaminimi i shkaqeve të vdekjes së Agon Zejnullahut në laboratorë jashtë Kosovës, rasti ndaj pesë policëve të dyshuar për veprën “vrasje nga pakujdesia” po trajtohet nëpër gjykatat e Kosovës, shkruan Gazeta express.
Sot Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Lipjan, ka ricaktuar edhe një herë masën e paraburgimit prej një muaji për të pesë policët për rastin e Agon Zejnullahut, kjo pas vendimit të Apelit që e kishte kthyer rastin në rivendosje me datë 21 korrik.
Në aktvendimin e Themelores thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake pasi ka vlerësuar kundërshtimeve e argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve dhe pas shiqimit të shkresave të lëndës ka konstatuar se për rastin konkret, kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve është e bazuar dhe se ka arsye të mjaftueshme për ta caktuar.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre të deklaruar në seancën dëgjimore, dhe gjitha shkresave të lëndës, konstatoi se në rastin konkret kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve e parashtruar nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtine, është e bazuar, për faktin se në rastin konkret ka arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit, për çka edhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi.” , thuhet në aktvendimin e datës 23 korrik.
Të pesë policëve koha e kaluar në paraburgim do t’iu llogaritet nga data 7 korrik, kur edhe ka ndodhur tragjedia në Lipjan.
Vdekja e 27 vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu, është një prej rasteve që ka nxitur më së shumti reagime e debat në opinion kosovar.
I riu nga Lipjani ka vdekur në orët e para të mesnatës së 7 korrikut në duart e pesë policëve të Kosovës, derisa këta të fundit duke përdorur forcën e kishin shtrirë në një prej rrugëve të Lipjanit.
Pamjet që janë publikuar në media të momentit të arrestimit të Zejnullahut, në të cilat shihet se si disa nga policët i vendosin gjunjët në qafë 27 vjeçarit nga Lipjani, kanë nxitur reagimin e opinionit dhe aktivizimin e institucioneve, meqë fillimisht ky rast s’ishte evidentuar fare në raportin 24 orësh të policisë.
Pas raportimeve në media dhe publikimeve të videove, pesë policët ishin arrestuar dhe ndaj tyre tashmë rëndon dyshimi për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”.
“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale ”Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, kishte konfirmuar prokuroria Themelore e Prishtinës në një përgjigje mëngjesin e 7 korrikut.
Rasti kishte nxitur edhe shumë kritika në drejtim të Policisë së Kosovës, meqë tashmë ishin bërë disa raste ku policë të Kosovës ishin suspenduar për shkak të dhunës së përdorur gjatë rasteve të arrestimeve. Më i freskët ishte një rast në Klinë, kur një polic shihej teksa e godiste një person derisa ishte i prangosur dhe mbahej nga dy policë të tjerë.
Për këtë tragjedi, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kishte folur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili mes tjerash kishte kërkuar që të mos bëhej fushatë kundër policisë së Kosovës.
Në qytetin e Lipjanit, me organizim të familjarëve, është mbajtur ditë më parë edhe një protestë paqësore në kërkim të drejtësisë, me një ecje nga komuna e Lipjanit deri tek Stacioni i Policisë./GazetaExpress/