Një ekspert i proceseve të brendshme të Tokës ka zbuluar se planeti ynë në fakt ka dy Pole të Veriut, dhe lëvizja e njërës prej tyre mund të ndikojë në mënyrë të heshtur, por serioze, në navigimin dhe udhëtimet globale.
Scott Brame nga Universiteti Clemson shpjegon se Poli i Veriut magnetik është në lëvizje të vazhdueshme dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në drejtimin që tregon busulla. Pa përditësime të rregullta të sistemeve të navigimit, mjete të përditshme si hartat në telefonat inteligjentë mund të japin udhëzime të pasakta.
Nëse poli magnetik lëviz më shpejt sesa parashikojnë modelet shkencore dhe këto nuk përditësohen në kohë, gabimet në GPS-in e makinave apo telefonave mund të shtohen. Kjo mund të çojë në humbje orientimi, rrugë më të gjata ose madje rreziqe për sigurinë, veçanërisht në zona të izoluara.
Brame është profesor kërkimor dhe ka studiuar për vite me radhë gjeologjinë dhe burimet nëntokësore të ujit, të njohura si hidro-gjeologji.
Dy Pole të Veriut
Bota njeh një pikë të quajtur Poli i Veriut gjeografik (ose “veriu i vërtetë”), i cili ndodhet në majë të boshtit rrotullues të Tokës. Por ekziston edhe Poli i Veriut magnetik, i cili nuk është i fiksuar dhe ka lëvizur për shekuj me radhë mbi territorin e Kanadasë veriore.

Që nga vitet ’90, kjo lëvizje është përshpejtuar ndjeshëm: nga rreth 10–15 kilometra në vit, deri në afro 55 kilometra në vit, sipas shkencëtarëve.
Një studim i vitit 2020, i botuar në revistën Nature Geoscience, shpjegon se ky përshpejtim lidhet kryesisht me ndryshime në qarkullimin e hekurit të shkrirë në bërthamën e jashtme të Tokës, i cili ndikon në fushën magnetike. Megjithatë, shkaku i saktë ende mbetet i paqartë.
Pse lëviz Poli i Veriut magnetik?
Toka ka një bërthamë aktive. Bërthama e brendshme, rreth 5.000 kilometra nën këmbët tona, është e ngurtë për shkak të presionit ekstrem. Ndërsa bërthama e jashtme është e shkrirë dhe përbëhet nga hekur dhe nikel.
Nxehtësia nga bërthama e brendshme bën që këto metale të lëvizin vazhdimisht, njësoj si supa në një tenxhere mbi zjarr. Kjo lëvizje krijon fushën magnetike të Tokës, e cila mbulon të gjithë planetin.
Meqë kjo masë e shkrirë nuk është statike, edhe Poli i Veriut magnetik “endet” nga një vend në tjetrin.
Çfarë ndodh me navigimin?
Pajisje si busullat, telefonat inteligjentë dhe sistemet GPS përdorin veriun magnetik si pikë referimi për të përcaktuar drejtimin.


GPS-i modern mund të tregojë me saktësi se ku ndodhemi, por për të ditur në cilin drejtim të lëvizim, pajisja duhet të dijë se ku ndodhet poli magnetik në atë moment.
Nëse përdorni një busull tradicionale, duhet të bëni korrigjim për diferencën mes veriut gjeografik dhe atij magnetik – një kënd i quajtur deklinacion magnetik. Për këtë ekzistojnë edhe kalkulatorë online, si ai i Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA).
Telefonat inteligjentë e kryejnë këtë automatikisht përmes një sensori të quajtur magnetometër, duke u bazuar në Modelin Magnetik Botëror, i cili përditësohet rregullisht nga shkencëtarët.
Dhe Babadimri?
Me humor, Brame shton se nëse shtëpia e Babagjyshit ndodhet në Polin e Veriut gjeografik – mes akullnajave të Oqeanit Arktik – ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm se cilin “veri” po ndjek. Busulla dhe harta nuk tregojnë gjithmonë të njëjtën pikë.
Ose ndoshta… drerët e tij thjesht e dinë rrugën. /GazetaExpress/
Ky artikull është përshtatur nga “The Conversation”, një organizatë jofitimprurëse që synon të ndajë njohuritë e ekspertëve. Autori është Scott Brame, profesor kërkimor i Shkencave të Tokës në Universitetin Clemson.