Vladyslav Heraskevych, sportisti i skeletonin dhe mbajtësi i flamurit të Ukrainës në Milano-Cortina gjendet në mes të një çështjeje të ndezur diplomatiko-sportive pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e lejoi atë të garojë më një kaskë speciale.
Sportisti që u rendit në vendin e 4 në Botërorin e Skeletonit në 2025 e kishte përdorur fillimisht kaskën gjatë sesioneve të stërvitjeve në pistën olimpike, por mbrëmjen e së hënës, atij iu ndalua zyrtarisht ta mbajë atë.
Kaska në fjalë nuk është thjesht një element mbrojtës, por një homazh viziv për të gjithë kolegët dhe familjen olimpike ukrainase që humbën jetën në luftën gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Mes imazheve shfaqen figura si patinatori Dmytro Sharpar, i vrarë në luftimet pranë Bakhmut, sportisti 19 vjeçar i biatlonit Yevhen Malyshev, i vrarë në luftimet pranë Kharkiv apo edhe boksieri Pavlo Ishchenko.
Arsyeja që IOC ndaloi sportistin të mbajë këtë kaskë është rregulli 50 i Kartës Olimpike që ndalon në mënyrë kategorike çdo lloj manifestimi apo propagandë politike, të besimit fetar apo racial brenda zonave olimpike.
Sipas IOC, kaska përbën një thyerje të këtij rregulli edhe pse Heraskevych këmbëngul se ky gjest i tij nuk është një mesazh politik, por një akt nderimi për sportistët që nuk do të mund të vënë kurrë më këmbë në një arenë sportive.
Ukrainasi shprehu hidhërimin e tij të thellë, duke e përkufizuar këtë vendim si të dhimbshëm dhe duke e akuzuar IOC për tradhti ndaj anëtarëve të lëvizjes olimpike duke penguar nderimin e kujtimit të tyre.
IOC nga ana e saj pretendon se fillimisht Federata Ukrainase nuk kishte bërë asnjë kërkesë për autorizim duke e komunikuar ndalimin e kaskës vetëm pasi u shfaq në provat zyrtare.
Nuk ka munguar as reagimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që doli në mbrojte të sportistit duke thënë se ekspozimi i imazheve të sportistëve të vrarë, nuk duhet të konsiderohet i papërshtatshëm pasi përfaqëson të vërtetën e çmimit që Ukraina po paguan për lirinë e saj, përcjell tch.
Sipas Zelensky, të kujtosh këto sakrifica është në koherencë me misionin historik të lëvizjes olimpike që duhet të orientohet drejt paqes.
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...