Poezia e javës/ Zbigniew Herbert: Pesë burra - Gazeta Express
string(42) "poezia-e-javes-zbigniew-herbert-pese-burra"

Arte

Gazeta Express

14/11/2025 16:59

Poezia e javës/ Zbigniew Herbert: Pesë burra

Arte

Gazeta Express

14/11/2025 16:59

Zbigniew Herbert (1924 – 1998), poet, eseist, dramaturg dhe moralist polak.

Pesë burra

1.

Ata i nxorën jashtë në mëngjes 

te oborri i gurtë 

dhe i mbështetën për murit

pesë burra

dy prej tyre bukur të rinj

të tjerët në mesomoshë

asgjë më shumë 

nuk mund të thuhet për ta

2.

kur toga 

drejtojnë pushkët e tyre 

gjithçka papritur shfaqet

në dritën shumëngjyrëshe 

të të dukshmes

muri i verdhë 

e kaltra e ftohtë

telegrafi i zi në mur 

në vend të horizontit

ky është momenti 

kur të pesë shqisat rebelohen

do të donin t’ia mbathin krenarisht 

si minjtë nga anija që po fundoset

para se plumbi të arrijë në destinacion 

syri do të perceptojë fluturimin e projektilit 

veshi do të regjistrojë një shushurimë të çeliktë 

vrimat e hundeve do të mbushen me një tym të sertë 

një petale gjaku do të çikë qiellzën 

prekja do të tkurret pastaj do të plogështohet 

tash ata dergjen në tokë 

të mbuluar deri te sytë nga hija

toga largohet

sustat rripat e tyre

dhe helmetat e çelikta

janë më të gjalla

se ata që dergjen pranë murit

3.

nuk e mësova këtë sot

këtë e dija para së djeshmes

pse atëherë po shkruaja 

poezi të parëndësishme mbi lulet

çka folën ata të pestët 

natën para ekzekutimit

për ëndrrat profetike

për arratinë në shtëpi publike

për pjesët automobilistike

për një udhëtim në det

për atë se si kur e kishte pasur maçin 

s’ishte dashur të hapej

për atë se si vodka është më e mira

se pas verës të dhemb koka

për vajza

për fruta

për jetën

kësodore dikush mund të përdorë në poezi

emra barinjsh grekë 

dikush mund të përpiqet të kapë ngjyrën e qiellit mëngjesor

të shkruajë për dashurinë

dhe po ashtu

edhe njëherë

krejt seriozisht

t’ia ofrojë botës së tradhtuar

një trëndafil

SHËNIM 

nga HUCK GUTMAN

Pa dashur të tingëlloj shumë letrar, lërmeni të pohoj se poetët funksionojnë bukur fort si ne: ata i dëgjojnë jehet e zërave të të tjerëve në kokat e veta. Unë eci përreth duke dëgjuar vargje dhe pasazhe poezie here pas here, vargje që nxjerrin kokën të paftuara nga skutat e mendjes dhe kujtesës. Për një pjesë të mire të njerëzve që nuk lexojnë ‘poezi’ aq shumë, vergjet nxjerrin kokën në mënyrë të ngjashme, vetëm se nga domeni i poezisë ne i quajmë ‘këngë’. Adhruesit e reggae jetojnë në botën e lirikave të Bob Marleyt; Dead-heads or Phish-heads e dëgjojnë Jerry Garcian ose Trey Anastasion; dhe të tjerët e dëgjojnë Sinatran, Broadway shows, Elvis Presleyn ose himnet kishtare. 

Në poezinë për të cilën dua të flas, ‘Pesë burrat’ e Zbigniew Herbertit, mendoj se ai mund të ketë pasur një poezi të mirënjohur, ashtu siç e meriton, të Berthold Brechtit, duke i kërkëllirë në nivelet më të ulëta të vetëdijës së tij. Poezia e Brechtit, “An die Nachgeborenen,” (“Atyre që janë lindur vonë”) ishte shkruar në fund të viteve 1930 derisa fashizmi po shfrenohej nëpër Gjermani dhe Brechti po jetonte në mërgim. Ja si nis: 

Njëmend, unë jetoj në kohëra të turbullta! /Fjala e çiltër është marrëzi. Një ballë i butë/ Sugjeron pandjeshmëri. Njeriu që qesh/ Thjesht ende nuk e ka marrë/ Lajmin e kobshëm./ Çfarë lloj kohërash janë ato, kur / Të flasësh për pemët është pothuajse krim/ Ngase nënkupton heshtjen rreth gjithë atyre krimeve?/ Ai burri atje duke e kapërcyer qetësisht rrugën / A mos ndoshta tashmë është larg miqve të tij/ Që janë në nevojë?

Brechti na thotë se ai jeton në një botë kur të qeshurat duken të shpërthejnë nga injoranca trishtuese dhe të “flasësh për pemët është pothuajse krim/ Ngase nënkupton heshtjen e gjithë atyre tmerreve.” Rrallëherë rasti i angazhimti politik dhe nevoja e për të shtyrë thirrjen estetike të poezisë ka qenë më i fuqishëm se sa që e bën Brechti në këtë poezi, që shkon tutje edhe për gjashtëdhjetë vargje të tjera. Është një deklaratë skajshmërisht e fuqishme, madje e paharrueshme. 

Herberti e ka botuar poezinë e tij ‘Pesë burra’ më 1957 në librin e tij të dytë. 

Herberti ishte pjesë e rezistencës nëntokësore në Poloni gjatë pushtimit nazist të vendit. Pas luftës, ai u përball me censurën dhe diskriminimin ekonomik kur regjimi komunist u instalua në rend në Poloni. Kështu që ai nuk ishte më i fortë se sa Brechti në “kohërat e errëta”.

Para se të futemi te poezia, më lejoni të them edhe një a dy gjëra që mund të na ndihmojnë t’ju drejtojmë kah Herberti. E para, ai mund të jetë poeti i gjysmës së kaluar të shekullit i cili në mënyrën më radikale teston mitet dhe qartësitë që ne zakonisht i marrim për të mirëqena, të “vërtetat” e jetës së përditshme. Poeti nobelist irlandez Seamus Heaney ka shkruar një ese të mrekullueshme në të cilën tërheq vëmendjen te poezia “The Knocker” të Herbertit, të cilën Heaney e sheh si çelës të veprës së poetit polak. Në “The Knocker” folësi thotë se do të lërë të tjerët të shkruajnë për imazhet dhe metaforat: për veten e vet, ai thjesht do të ndjekë atë të tingëllon e vërtetë, të kërcasë në një cope druri: poezia e thatë e miralistit/ po-po/ jo-jo.

Ajo çka na bën të besojmë në sinqeritetin e Herbertit në këtë kërkim për të vërtetën e thjeshtë të gjërave është thjeshtësia lakuriqe e gjuhës së tij, që i bashkëngjitet një poetike që varet nga forca e logjikës dhe racionales më shumë se nga konotacionet emocionale. Jemi mësuar me poezitë që na prekin përmes thirrjës së emocionit dhe ndjenjës dhe je me poezitë që na qasen me thjeshtësi dhe saktësi logjike.

Me gjasë po e bëj Herbertin të duket i thatë dhe jointeresant. Ai është, krejt e kundërta, i pasur dhe për mua i një interesi të pashoq. Shpesh mendoj se ai mund të jetë poeti më interesant i gjysmës së dytë të shekullit XX. (Ai vdiq më 1998).

Mjaft me këtë. Të kalojmë te poezia ‘Pesë burra’ që është e ndarë në tri pjesë. 

Pjesa e parë është faktuale, rreptësisht përshkruese. Janë pesë burra. Nxirren në oborr. Nëse I lexojmë faktet, ata janë “të mbështetur për muri”: ne e dimë se do të qëllohen së shpejti nga një skuadër qitjeje. Dy janë të rinj, tre janë në mesomoshë. “asgjë më shumë/ nuk mund të thuhet për ta.” (vargu i fundit i vërtetë në njëfaër mënyre, minohet nga vazhdimi i poezisë, ashtu që ne në fund e kuptojmë atë si thellësisht-thellësisht ironike. Ka një të vërtetë mbrapa faktit në këtë poezi, edhe nëse fillon në një mënyrë strikte faktuale.)

1.

Ata i nxorën jashtë në mëngjes/ te oborri gurtë/ dhe i mbështetën për murit// pesë burra/ dy prej tyre bukur të rinj/ të tjerët në mesomoshë// asgjë më shumë/

nuk mund të thuhet për ta

Pjesa e dytë nis me një fakticitet të ngjashëm, me skuadrën e qitjes që bëhet gati të qëllojë. Ne, sidoqoftë, do të lëvizim përmes faktuale së thjeshtë derisa të përfundojë strofa. Gjithsesi, fillimisht gjithçka është e ‘dukshme’, megjithëse vërejmë se “oborri i gurtë” i strofës së parë tash përpunohet në, e verdha kundër një prapavije të kaltër, me një telegraf që e përshkon. 

2.

kur toga / drejtojnë pushkët e tyre / gjithçka papritur shfaqet/ në dritën shumëngjyrëshe/ të të dukshmes// muri i verdhë/ e kaltra e ftohtë/ telegrafi i zi në mur/ në vend të horizontit

Por fakti si i vetëm nuk e shpjegon vetëdijen, siç e dëshmon strofa vijuese duke shfaqur vetëdijen në intensitetin e saj më të lartë në atë moment që e kupton se do të reshtë së qeni. Sado që Herberti vazhdon me gjuhën e vëzhgimit faktual – “syri,” “vrimat e hundës” – përdorimi i së ardhmes na tregon se ai po imagjinon atë që do të ndodhë pasi që të shkrepet plumbi vdekjeprurës. Të pesë shqisat tek ai njeri do të alarmohen: syri, veshi, nuhatja, shijimi, prekja. 

para se plumbi të arrijë në destinacion/ syri do të perceptojë fluturimin e projektilit/ veshi do të regjistrojë në shushurimë të çeliktë/ vrimat e hundeve do të mbushen me një tym të sertë/ një petale gjaku do të çikë qiellzën/ prekja do të tkurret pastaj do të plogështohet 

Edhe ne, në një moment të identifikimit me ata që janë gati të vdesin, e shohim plumbin të turret përppara, e dëgjojmë “shushurimën e çeliktë,” e nuhasim tymin e sertë të barutit, e shijojmë – njëra metaforë e pasazhit – “një petale gjaku” dhe e ndiejmë trupin të humbasë ndjenjën. 

tash ata dergjen në tokë/ të mbuluar deri te sytë nga hija/ toga largohet/ sustat rripat e tyre/ dhe helmetat e çelikta/ janë më të gjalla/ se ata që dergjen pranë murit

Ka marrë fund. Vdekja është zotëruese. Duket se nuk ka më çka të thuhet. Tç vdekurit janë sende më pak të gjalla se sa sendet që mbajnë ata që po largohen, që në fund kanë lëvizje edhe nëse ajo nuk është e tyrja.

Por nuk ka ppërfunduar poezia.

Folësi i poezisë e di mire se vdekja është finale. Duke vëzhguar skuadrën e qitjes dhe mizorinë e burrave ndaj njëri-tjetrit si dhe tmerret e luftës nuk është diçka që ai sapo e ka mësuar.

nuk e mësova këtë sot/ këtë e dija para së djeshmes

Më pëlqen ky vargu i dytë, “e dija para së djeshmës.” Sugjeron ujëvara të tëra të njohjes: “Nuk e mësova sot këtë, e dija që më parë, e dija prej kohësh, mund ta kem ditur gjithmonë, prej se vdekja dhe dhuna janë kaq intimisht të lidhura me ekzistencën njerëzore në të cilën jemi lindur.”

Pastaj, e këtu duket se Herberti po e rimerr vargun e Brechtit, “të flasësh për drurin është pothuajse krim,” Hebert – pyetësi i asaj që ne e marrim për të mirëqenë, pyet: 

pse atëherë po shkruaja/ poezi të parëndësishme mbi lulet

Kontrasti nuk mund të jetë më i qartë se kaq. Ne vetëm kemi parë burra të qëlluar nga skuadra e qitjes, njerëz që marrin fund si sende të pajetë “duke u dergjur pranë murit.” Pse, në një botë ku ne shohim gjëra të tilla, të shkruas poezi për lulet?

Herberti ndjek këtë çështje me një çështje tjetër. Jo çështje estetike, jo çështje politike, por një çështje të faktit të thjeshtë. 

çka folën ata të pestët/ natën para ekzekutimit

Dhe i përgjigjet në terma që janë aq realë për mua sa janë krejtësisht bindës. Pesë burra, dy të rinj, tre në mesomoshë, e dinë se do të qëllohen mëngjesin e së nesërmes. Njëri thotë, siç e nxjerr Herberti, ‘Kam parë një ëndërr shumë të çuditshme.’ Një tjetër flet për atë se si ka bërë seks, një tjetër se si njëherë mund të kishte fituar një shumë të mirë veç sikur të kishte luajtur letrën e tij ndryshe. Një tjetër flet për një udhëtim që ka bërë, një tjetër se e preferon vodkën më shumë se verën ngase e zë më pak. 

Ky është lloji i kuvendimit të cilin e kemi bërë të gjithë ne, shumë herë. A ka ndonjë arsye të mendojmë se nën kërcënimin e vdekjes do të flasinim ndryshe? Natyrisht se jo: të gjithë ne jemi, siç na e përkujtojnë ekzistencialistët në mesin tonë, përherë me kokën në presën e vdekjes. Jeta mund të marrë fund në çdo moment dhe në të vërtetë do të marrë fund para se të bëjmë gjithaq nga ajo që do të donim ose mëtojmë dhe prapëseprapë ne flasim për seksin, letrat dhe pijen, ne flasim: për vajza/ për fruta/ për jetën. 

“Kësodore” që hap strogën e fundit është, me terma të fortë, logjike, silogjistike, përgjigja e vetme racionale ndaj pyetjes që Herberti kishte parashtruar rreth asaj se si ai ose cilido poet tjetër mund të shkruajë “poezi të parëndësishme mbi lulet”.

Nëse një njeri është duke vdekur mund të flasë për atë “se si kur e kushte pasur maçin nuk ishte dashur të hapej” dhe një tjetër njeri në të njëjtën situatë mund të thotë “vodka është më e mirë/ pas verës të dhemb koka,” se ne të gjithë mund të flasim për këto gjëra, po ashtu, kur ballafaqohemi me vdekjen. Ose shkretinë e egër të luftës, ose mizorinë e pandier të të ngjashmëve tonë. Ose atë që Brechti e kishte quajtur “kohëra të errëta”.

Grekët, në adhurimin e të cilëve Herberti nuk është i vetëm, e kishin kuptuar këtë. Të jetosh në një kohë gjatë para se ngrihej ndjeshmëria që mbush ekziatencën bashkëkohore, të mësuar me dhunën dhe zotat hakmarrës dhe shtrëngesat e ekzistencës: grekët jo vetëm që kanë shkruar epika lufte dhe mbijetese, ata po ashtu e kanë sajuar pastoralen, ku barinjtë flasin për dashurinë dhe lulet.

kësodore dikush mund të përdorë në poezi/ emra barinjsh grekë/  dikush mund të përpiqet të kapë ngjyrën e qiellit mëngjesor/ të shkruajë për dashurinë/ dhe po ashtu/ edhe njëherë/ krejt seriozisht/ t’ia ofrojë botës së tradhtuar/ një trëndafil

të shohësh botën ashtu siç është, duke përfshirë jo vetëm skuadrat qitëse, por edhe atë që Homeri e kishte quajtur ‘agu prej gishtash të trçndafiltë’, dashurinë, kuvendimin për shtëpitë publike dhe lojën me letra, kjo është thirrja e poetit. Herberti është, si grekët, radikalisht josentimental… Ai mund të shkruajë për lulet, sepse kjo është ajo për të cilën flasin burrat dhe gratë, ajo që i mbush vetëdijet e tyre edhe kur janë nën presën e vdekjes. 

Mbretëria njerëzore e shekullit XX na tradhton, trashton “të qenët tonë në botë”,  për të keqpërdorur frazën e Heideggerit. Na i sjell skuadrat e qitjes, luftën, tiraninë, mizorinë. Por ne mund të ofrojmë, në surratin e asaj tradhtie, një mbretëri tjetër njerëzore: shoqërinë njerëzore (tërë atë të folur rreth vodkës, udhëtimeve dhe shtëpive publike), një njohje të brengosjeve të jetës së përditshme, një kremtim të mendjes që lulëzon qoftë edhe në surratin e vdekjes. Të mendjes lulet e së cilës janë, në mesin e gjërave të tjera, poezi.

/Poezia është marrë nga Zbigniew Herbert, Selected Poems, Penguin, 2024

/Përkthimi Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement