Poezia e javës / Vladimir Holan: Ora - Gazeta Express
string(33) "poezia-e-javes-vladimir-holan-ora"

Poezia e javës / Vladimir Holan: Ora

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:42

Vladimir Holan (Pragë, 1905 – 1980) poet çek. Gjatë viteve ’30 udhëton nëpër Francë dhe Itali. Pas LIIB e braktis besimin fetar të krishterë dhe merr pjesë aktive në jetën politike të vendit, në radhët e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Porse, më 1950 e lë Partinë dhe i rikthehet besimit. Nga ai moment tërhiqet në jetën private. Më 1968 shteti i jep titullin Artist Kombëtar.

ORA

Lexo Edhe:

Kjo është ora: muzika s’arrin ndonjë gjë

dhe bota është e sertë. Vija e zymtë e asgjë

e përvijuar nga fryma gjithë uri tregon

se aktit i nevojitet i tërë realiteti

për t’u bërë imazh.

Po nis të bjerë shi. E kuqja po bie nga dalia.

Vrasësi i pastron duart në krua.

***

Në orën vendimtare, në orën që do të duhej të bënte ndarjen në kohë dhe hapësirë, në orën kur do të duhej të mbaronte diçka për të filluar diçka tjetër, në orën e kthesës, pra, duhej të ishte pikërisht muzika ajo prej së cilës pritet – nga një pikëpamje gati se romantike do të thoshim: në rolin e shoqërueses – të ndezë pishtarin, të ngrohë zemrën. Sidomos kur «bota është e sertë», përkatësisht e ftohtë, mohuese, përjashtuese. Në këtë përfundim të papritur dhe të padëshiruar, në këtë gjendje të mjerë, «vijë e zymtë e asgjësë», të cilën e përvijon «fryma gjithë uri», madje edhe as akti – që në parim duhej të ishte imazh vetvetiu – nuk arrin pa realitetin të shndërrohet në imazh.

Mandej, si me një të prerë shpate, si me një të rënë të papritur dhe të pabesueshme perdeje, skena merr një ngjyrim më konkret, më tokësor: jemi në një ditë të rëndomtë vjeshte – se e kuqja po bie nga dalia – me shi dhe, kthesa më e papritur: «vrasësi po i pastron duart në krua».

/Marrë nga: Vladimir Holan, Selected poems, Penguin, 1971

/Përkthimi: Gazeta Express