Poezia e javës / Tu Fu: Vizitori - Gazeta Express
string(29) "poezia-e-javes-tu-fu-vizitori"

Poezia e javës / Tu Fu: Vizitori

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:35

Tu Fu, ose Du Fu (712-770), poet kinez i dinastisë Tang. Bashkë me Li Po-në (Li Bai) konsiderohen poetët më të mëdhenj kinezë. Edhe pse fillimisht i panjohur, poezia e tij ka pasur në vijim ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën kineze dhe japoneze. Nga opusi i tij janë ruajtur ndër shekuj vetëm rreth 1500 poezi.

VIZITORI

Lexo Edhe:

Veriu dhe jugu i kasollës sonë

shpërhapin ujërat e pranverës,

Dhe vetëm tufat e pulëbardhave

na vizitojnë çdo ditë;

Për mysafirët shtegu ynë është

ende i mbuluar nga gjethet,

Për ty porta jonë e thurur

u hap për herë të parë:

Gjellët e sjella larg nga qyteti

kanë humbur shijen,

Dhe vera e rëndë është

një ofertë e mjerë shtëpie;

Po ramë në ujdi, do ta thërras

fqinjin tim më të vjetër,

Ta kapërcejë gardhin dhe të vijë

të na ndihmojë ta mbarojmë!

***

Shënim nga: Arthur Cooper

Ky është një sonet tjetër i Tu Fu-së, sipas metrit shtatërrokësh në origjinal. Sipas fjalës së William Hung-ut, qe shkruar në pranverën e vitit 761.

Kah fundi i vitit 759, pasi që kishte shkruar poezinë e fundit, Tu Fu kishte hequr dorë nga puna si Komisionar i Edukimit lokal (një punë që gjithsesi s’e donte fare) dhe ishte zhvendosur bashkë me familjen në Ch’eng-tu, ku jetoi duke bërë punë të parëndësishme letrare dhe i ndihmuar nga donacionet e patronëve: siç kishte jetuar edhe Li Po shumicën e jetë së vet. Me paratë e fituara dhe dhuruara ai mundi të ndërtonte një vilë për veten, po ashtu një nga ato belvederet e vogla buzë lumit që mund t’i shohim shpesh në pikturat kineze, në Brocade River. Sado që ai ishte tashmë në gjëndje të vështirë shëndetësore dhe me gjasë me tuberkuloz (arsye, përveç të tjerash, për të që atëkohë të mos mundohej të merrej me ndonjë shërbim civil), kjo ishte tendosja e tij më shndritur dhe më paqësore e jetës së tij pranë lumit: siç reflektohet ty ky sonet dhe te këngët e tjera që pasojnë. Tu Fu ishte fuqishëm i prirë të ishte i lumtur, prandaj nuk mund të quhet me një emër më të përshtatshëm se sa ‘i hareshëm’; dhe pa asnjë mëdyshje e parapëlqente këtë (për çka jo të gjithë poetët janë si ai) më shumë se sa pikëllimin. Kjo bën që dhumë prej poezive të tij trishtme të tingëllojnë pafundësisht të tristshme se sa që ai mund të ishte; por në të njëjtën kohë e bën kategorizimin e tij si ‘poet i trishtuar’ shumë të gabuar. 

Tu Fu e ka një shënim për këtë sonet, ku thotë se vizitori i mirëpritur ishte njëfarë prefekti Ts’ui. Ky kishte qenë emri i nënës së tij, prandaj ky vizitor i madh mund të ketë qenë daja i tij ose ndonjë i afërm tjetër nga ajo anë. Ajo ishte vajza e madhe e Li Shih-min, i cili ishte bërë Perandori T’ai-tsung dhe i cili, megjithëse së pari e kishte vënë në fron babanë e tij, ishte themeluesi i vërtetë i dinastisë T’ang dhe njëri prej personave më të mëdhenj në historinë e Kinës. (gjaku i Tu Fu-së ishte, rastësisht, jashtëzakonisht ‘i kaltër’: ai ishte i lidhur pothuajse me të gjitha familjet e mëdha në Perandori; po s’duket t’i ketë sjellë ndonjë të mirë në karrierën e tij. Njerëzit e mëdhenj, sidomos perandorët, kanë shumë fëmijë; dhe vija gjenealogjike e djemve të vegjël të familjëve të mëdha fare shpejt përfundojnë të parëndësishëm dhe të varfër.

«Vera e rëndë» në poezi është literalisht «verë e moçme»; por si term në enologjinë e orizit do të thotë verë orizi e papastër në stilin e vjetër para metodës së pastrimit. Ishte më e lirë, por po ashtu lloji më i fortë; dhe Tu Fu, sado që ai me mirësjellje ndien keqardhje për këtë, e parapëlqente. Edhe pse jo ndonjë pijedashës i njohur, si Li Po, Tu Fu ishte gjithmonë një pirës i fortë dhe sado që flet për këtë si për një fatkeqësi të rinisë së tij të hershme. Prej tash, është e qartë nga kjo poezi, mjeku i tij po përpiqej ta bënte të hiqte dorë nga alkooli plotësisht për hir të shëndetit të tij – çka mund ta ketë bërë ta mirëpresë keqardhjen për mbrëmjen edhe më shumë.

Sa i përket «e mjerë e shtëpisë», megjithëse Tu Fu nënkuptonte e mjerë (edhe pse jo e mjerë ashtu siç kishte qenë ai  apo siç do të bëhej në vijim), ai do të mund ta kishte thënë këtë edhe po të kishte qenë i pasur: nga ana tjetër është në zakonet e thjeshta kineze të mos e çmojnë atë që e kanë; me dinjitet dhe në asnjë mënyrë duke ndier vetëmëshirë apo duke lypur. Dhe s’kishte kurrëfarë turpi në skamjen e klasës së Tu Fu-së.

/Marrë nga Li Po and Tu Fu, “Poems”, (Selected and translated by Arthur Cooper), Penguin Books Ltd, 2013

/Përkthimi: Gazeta Express