string(40) "poezia-e-javes-shevchenko-mendimet-e-mia"

Arte

Gazeta Express

22/04/2022 17:43

Poezia e javës / Shevchenko: Mendimet e mia

Arte

Gazeta Express

22/04/2022 17:43

Taras Shevchenko (1814-1861) llogaritet si njëri ndër poetët më të mëdhenj ukrainas të shekullit 19 dhe një figurë e ndritshme e Ukrainës

Vëllimi i tij i parë me poezi “Kobzar”, shpreh ndjenjat melankolike të autorit dhe interesin folklorik për vendin e tij, por shpejt poeti lëviz për t’u portretizuar si poet kombëtar i Ukrainës me poezinë e gjatë “The Haidamaks”. Më vonë do të dënohet, për t’u internuar pas publikimit të disa poezive që satirë kishin shtypjen e Ukrainës nga Rusia dhe si profeci parashihnin një revolucion ukrainas. Shevchenko gjithashtu ishte piktor, shkrimtar, folkloristë dhe figurë publike e politike e vendit.

Mendimet e mia

Mendimet e mia gjembore, mendimet e mia gjembore,

Ju ma sillni t’vetmin mjerim!

Pse ju në letër rrini

Rresht pas rreshti me kaq trishtim?…

Pse era nuk ju shpërndan

Nëpër stepa si rerën?

Pse fati i keq nuk ju ka djep

Mbi gjoksin e tij, ta bëni të fjeturën?…

Mendimet e mia, mendimet e mia melankolike

Fëmijët e mi, lastarët e butë!

Ju kam ushqyer, e ju kam rritur—e tash

Çka duhet të bëj me ju?…

Shko në Ukrainë, fëmijë i braktisur pa strehë

Merre udhën për në Ukrainë

Përgjatë rrugicave të pasme si vagabondët.

Por, unë jam i dënuar të rri

Atje do të gjesh një zemër të sinqertë

Dhe fjalë të ëmbla të presin

Atje ndershmëri, të vërtetë të panjollosur

Dhe, ndoshta, nam do të kesh gjetur…

Kështu që mirëpriti ato, mëmëdheu im,

Ukrainë, në shtëpinë tende!

Pranoje çiltërsinë time, pjellë e thjeshtë

Dhe merri për vete!

Poezia e Shevçenkos

Nga Donjeta Abazi

Në fakt versioni origjinal i poezisë “Mendimet e mia” i përkthyer edhe në anglisht, pos vargjeve të tanishme ka edhe vargje tjera shtesë, të cilat narracionin e zhvillimit të ngjarjeve edhe e ndryshojnë pak, e vendosin në një dimension më të gjerë. Esenca e poezisë mbetet e njëjtë ama, poeti i shkruan Ukrainës, siç historikisht i është shkruar, për shtypjen nga Rusia, për dhimbjen për atdheun, i cili nën agresionin rus nganjëherë e ka në pikëpyetje edhe identitetin.

Shevçenko njihet si poeti që identifikon Ukrainën, njëjtë siç letërsia shqipe njihet nëpërmjet rilindësve tanë. Me vargjet e kësaj poezie autori nuk i ikën mallit e melankolisë, por mënyra se si ai rrëfen për vendlindjen e tij, që në bazë të vargjeve duhet të jetë larg në atë kohë, janë disi thirrje indirekte të cilat për një arsye ose tjetër duhet të jenë të koduara, njëjtë siç bën Ndre Mjeda me “Vajin e bilbilit”.

Kërkesa e poetit që mendimet e tij të koklavitura e të mundimshme të ikin e të largohen për në Ukrainë, sa janë të dhimbshme janë edhe të kobshme. Bashkë me thirrjen për çlirim autori disi e ruan edhe në një pjesë të thellë të vargut të tij, vajtimin për vendin e tij të lindjes.

Malli për Ukrainën ndihet lehtë, madje ai e ngre në piedestal atë, kur i referohet si vend që do ta qetësonte çdo plagë të tijën e do ta priste në gjirin e saj të ngrohtë.

Poeti i ka ushqyer mendimet e veta plot trishtim, këto vargje sa artistike aq të dhimbshme tingëllojnë. E çka mund të bëjë ai me to veçse t’i dërgojë rrugës për Ukrainë?!

Këto vargje që u shkruan shumë moti, me gjasë do të jenë shumë të prekshme për Ukrainën sot, kur gjendja veçse është më e rëndë, e poeti i saj s’jeton më. Nëse do të jetonte, me siguri që do të kishte frymëzim për të thënë diçka mes rreshtash, por qe me siguri ky frymëzim do të ishte edhe më i kobshëm tash. Nëse do të jetonte, nuk do t’i fliste Ukrainës për humbjen, do t’i fliste për atë pak jetë sa ka mbetur, për pranverën në Ukrainë e për ditët që një ditë teatrot e muzetë e saj do të rindërtohen. Do t’i tregonte për profecitë që parashohin triumfin e Ukrainës, ama kësaj here nuk do të frikësohej për internim, koha e komunizmit ka rënë, fantazma e Rusisë po bie.

/Përkthimi në shqip nga përkthimi në anglisht i John Wier, me titull My thoughts (Dumy moji, dumy moji, Lykho meni z vamy!)

/Gazeta Express