Kjo pjesë është shkëputur nga eseja njohur e Anne Carson (1950), ‘Eros the bittersweet’, botuar më 1986
FRAGMENTI 31
Safo
Më duket mua barbar me zotat ai burri
që përballë teje
ulet dhe dëgjon nga afër
të folurën tënde të ëmbël
dhe të qeshurën e lezetshme. Oh, kjo gjë
i vë krah në gjoks zemrës sime,
kur të shikoj, një moment të vetëm, s’më
mbetën fjalë më në mua
jo: gjuha copëzohet dhe një zjarr
i hollë fëshfërin përposh lëkurës
e në sy s’ka më shikim dhe një gumëzhimë
m’i mbush veshët
dhe një djersë e ftohtë më mban dhe një drithërimë
më posedon, më e gjelbër se bari
unë jam, dhe e vdekur, o të paktën
kështu i dukem vetes.
***
Duket sikur poezia dallgëzon drejt nesh nga një skenë. Por jemi publik të cilit nuk i është dhënë kurrfarë programi skene. Aktorët hyjnë e dalin pa pasur emër fare. Aksioni është pa kontekst. Nuk e dimë pse vasha po qesh as çka ndien për atë burrin. Është një personazh që shfaqet matanë dritës së prapaskenës, pakëz më vdekatar në vargun e parë (isos theoisin) dhe shkrihet në vargun e dytë në një përemër (ottis) krejt të papërcaktuar, rreth domethënies së vërtetë të të cilit studiusit nuk arrijnë të bien në ujdi. Poetja, duke e drejtuar këtë mizanskenë, në mënyrë misterioze bëhet me krah në vargun e pestë (to) dhe imponohet mbi skenë.
Poezia nuk sillet rreth tre individëve të marrë veç e veç, por rreth figurës gjeometrike të formuar nga pereceptimi i tyre reciprok dhe mbi boshllëqet që zënë vend në atë perceptim. Është një imazh i distancës së tyre. vija të holla të forcës i koordinojnë të tri personazhet. Duke rrëshqitur mbi një varg, zëri dhe e qeshura e vashës udhëtojnë në drejtim të një burri që po dëgjon nga afër. Një tangjent i dytë lidh vashën me poeten. Në fund, mes syrit të poetes dhe burrit që dëgjon krikëllin një prani e tretë. Figura është trekëndësh. Pse?
Përgjigjja mund të merret si e mirëqenë: në fund të fundit bëhet fjalë për një poezi mbi xhelozinë. Shumë kritikë janë të një mendjeje me këtë. E megjithatë, po aq studiues e mohojnë të ketë ndonjë referencë ndaj kësaj ndnjenje1. Si është e mundur një divergjencë e tillë interpretimesh? A jemi duke e pasur parasysh të njëjtën ide të xhelozisë?
Fjala xhelozi rrjedh nga greqishtja zēlos, që do të thotë “zell” ose “kërkim i zjarrshëm”. Është një lëvizje shpirtërore, e flaktë dhe korruzive, që lind nga frika dhe ushqehet nga të qenit i prekur. Dashnori xhelos tutet se mos personi i dashur prej tij po e parapëlqen dikënd tjetër dhe vuan nga çfarëdo lidhjeje mes të dashurës dhe tjetrit. Është një emocion që lidhet me pozicionimin dhe zhvendosjen. Dashnori xheloz lakmon një vend të veçantë në ndjenjat e të dashurës dhe jeton me ankthin se mos po i vihet shkelm. Po ja një imazh, që na vjen nga periudhat më të vona, i kësaj kategorie të luhatshme që është xhelozia.
Gjatë gjysmë së parë të shekullit XVI, në Itali, u bë popullore një lloj valleje me ritëm të lehtë, e quajtur bassadanza. Këto valle ishin gjysmëdramatike dhe vinin në skenë relacione të caktuara psikologjike. Në lidhje me këtë Baxandall shkruan: «Në vallen e xhelozisë tre burra dhe tri gra e shkëmbejnë shokun e valles ashtu që secili burrë të gjendet, për njëfarë kohe, në këmbë vetëm, i ndarë nga të tjerët». Xhelozia është valle në të cilën të gjitha janë në lëvizje, ngase ajo që e burgos mendjen e dashnorit xheloz është paqëndrueshmëria e gjendjes emotive.
Asnjë nga këto shkëmbime nuk e kërcënon Safon te fragmenti 31. Në të vërtetë, rasti i saj është diametralisht i kundërt. Po ta kishte marrë ajo vendin e burrit që dëgjon nga afër, kemi përshtypjen do të mund të dilte soje e shkatërruar. Ajo nuk e dëshiron pozicionin e burrit, as nuk i frikësohet se do t’ia zënë të sajin. Nuk ushqen asfarë mërie ndaj tij. Thjesht është e impresionuar nga gyximi i tij. Roli i këtij burri në strukturën e tekstit poetik është ta pasqyrojë xhelozinë e Safos. Asnjëri prej tyre në fund nuk përmendet me emër. Ajo që e godet është bukuria e të dashurës; prania e burrit në njëfarë mënyre është e domosdoshme për ta përkufizuar këtë ngjarje emotive; megjithatë mbetet të shihet se si. «Të gjithë të dashurarit shfaqin simptoma të tilla», shkruan Longini, kritiku antik të cilit ia kemi borxh ruajtjen e tekstit të Safos. Xhelozia mund të jetë implicite në simptomat e dashurisë kudo që të shfaqen, por nuk mjafton për ta shpjeguar gjeometrinë e kësaj poezie.
Një interpretim tjetër i rëndomtë i kësaj poezie është ai retorik, që e konsideron burrin në dëgjim thjesht si një marifet poetik. Me fjalë të tjera, burri nuk duhet të konsiderohet si një person real, por si një hipotezë poetike, e ngjizur për të inskenuar, përmes kontrastit, faktin se sa thellë është e prekur Safo nga prania e të dashurës. Një klishe e poezisë erotike, nga momenti që lavdërimi i personit të dashur duke thënë «ai që mund të të rezistojë duhet të jetë prej guri» është një marifet retorik krejt i rëndomtë. Në një fragment të njohur, Pindari, për shembull, vë në kundërpeshë reaksionin e vet përballë atij të një djaloshi të bukur («shkrihet si qiriri kur e kap nxehtësia») me atë të një vrojtuesi të patundur («zemra e zezë e të cilit është farkëtuar me diamant ose me hekur në një flakë të ftohtë»). Teza retorike mund të përforcohet duke e ndërfutur një krahasim me konceptin e patundëshmërisë hyjnore, që gjendet në epigramin helenistik në vijim: «Nëse e ke shikuar loçkën time dhe nuk je vënë përfund nga dëshira, atëherë përnjëmend je zot ose gur2»).
Me këtë teori kontrastuese, dashnori lavdëron të dahurën e tij dhe aksidentalisht kërkon dhembshuri për gjendjen e vet, duke e gjetur veten në një reaksion normal njerëzor: do të ishte jonatyrore ose mbinatyrore ajo zemër që s’do të vihej në lëvizje nga dëshira e një objekti të tillë. A dëshiron përnjëmend Safo të paraqesë këtë në fragmentin 31?
Jo. Në radhë të parë, në poezinë e Safos mungon regjistri i normalitetit. Diagnoza e saj e emocioneve erotike është e veçantë. Mund t’i njohim simptomat në bazë të kujtesës sonë personale, por është e pamundshme të besojmë se poetja është duke e paraqitur veten si një dashnore çfarëdo. Përndyshe, lavdërimi i të dashurës nuk është me siguri qëllimi kryesor i këtij teksti poetik. Zëri dhe e qeshura e vashës janë një provokim domethënës, por, pas zhdukjes së saj në vargun e pestë, trupi dhe mendja e Safos bëhen tema e pangatërrueshme e gjithë asaj që vijon. Lavdërimet dhe reaksionet e rëndomta erotike verifikohen në botën reale: kjo poezi e arrin gjithë atë. Dy herë, me emfazë, Safo na e tregon skenën e vërtetë të poezisë («më duket mua», «mua m’u duk»). Bëhet fjalë për një hetim rreth asaj që duket dhe që zhvillohet tërësisht brenda mendjes së saj3.
Xhelozia është e pavend; bota normale e përgjigjeve erotike po aq; lavdërimi është i pavend. Bëhet fjalë për një poezi mbi mendjen e dashnores në aktin e ndërtimit të një dëshire si qëllim në vete. Tema e Safos është erosi siç i duket asaj; poetja nuk ka pretendime të tjera. Një vetëdije e veçantë që vetëparaqitet; një gjendje mendore e ekspozuar për lexim për të tjerët.
Këtu shohim shumë qartë se çfarë forme merr dëshira: një qark me tri pika del nga mendja e Safos. Burri në dëgjim nuk është as klishe sentimentale as marifet retorik. Është një nevojë njohëse krejtësisht e qëllimshme. Safo e percepton dëshirën duke e prezantuar si një strukturë tripjesëshe. Sipas leksikut tradicional të teorisë së erosit, do të mund ta konsideronim këtë strukturë si një trekëndësh dashurie dhe do të mund të tundoheshim, me një lloj vrulli postromantik, ta likuidojmë si një dredhi të pastër. Por dredhia e trekëndëshit nuk është një manovër banale e mendjes. Gjejmë në të themelet për ndërtimin e dëshirës. Ngase, nëse erosi është mungesë, evokimi i tij kërkon tre komponentë strukturalë: të dashurin, të dashurën dhe atë që futet në mes. Janë tri pika në një qark relacionesh të mundshme, të elektrizuar nga dëshira ashtu që të preken pa u prekur. Sado që ngjiten, janë të ndarë. Komponenti i tretë ka një rol paradoksal, meqë lidh dhe ndan, duke bërë që dy të tjerët të mos bëhen një, një gjë e vetme, duke hedhur dritë mbi atë mungesë prania e së cilës është një parakusht i erosit. Kur pikat e qarkut bashkëngjiten, perceptimi bën një kërcim. Ja që diçka bëhet e dukshme në rrjedhën trekëndëshore ku lëviz elektriciteti; diçka që s’do të ishte e dukshme pa këtë strukturë tripjesëshe. Ajo që mbetet mes asaj që është dhe asaj që do të mund të ishte bëhet e dukshme. Ideali është projektuar në ekran nga realiteti, në një lloj stereoskopie. Burri ulet si zot, poetja pothuajse vdes: një reaksion në dy pole, brenda të njëjtës mendje dëshiruese. Trekëndëshi bën që të dy të jenë të pranishëm në të njëjtin çast përmes ripozicionimit të distancës, ku aksioni erotik zëvenësohet nga një dredhi e zemrës dhe e gjuhës.
Pse në këtë valle personat nuk lëvizin? Këtë e bën dëshira. Erosi është folje.
Shënime:
1)Dy komentues të tekstit bëjnë një llogari studimesh në favor dhe kundër pranisë së temës së xhelozisë: Bunrett (1983), fq. 232-234; Race (1983), fq. 92-101.
2)Dover (1978), fq. 178; Race (1983), fq. 93-04.
3)Rreth temës së dukjes në këtë poezi: Robbins (1980), fq. 255-261.
/Marrë nga Anne Carson “Eros e il dolceamaro”, Utopia, 3023
/Përkhtimi: Gazeta Express