Miklós Radnóti (5 maj 1909 – nëntor 1944), poet hungarez, me origjinë hebreje. Një nga lirikët më të njohur modernë hungarez. Kishte bërë punë të detyruar në kampe të ndryshme. Në fillim të nëntorit 1944, bashkë me një grup të internuarish të tjerë të stërlodhur mendërisht e fizikisht, ishte ekzekutuar nga Ushtria mbretërore hungareze
SI DEM
Nga Miklos Radnoti
Deri më tani e kam jetuar jetën time si dem i ri,
duke u shtrirë në fusha në mesin e lopëve, i mërzitur për vdekje,
duke u krekosur me fuqinë e tij, duke u sorollatur dhe lozur në
zagushinë e diellit të pasdites, me jargët shkumë që dridhen si puhi.
Luan kokën dhe ngul thundrat mbi barin e shkelur,
teksa dheu ngrihet lart për ta vërshuar kullotën,
dhe ajri i dendur me pluhur kërcet dhe ngjeshët për brirëve të tij.
Po, kam jetuar si dem, si një dem që është ndalur i vdekur
në gjurmët e tij në livadhin e mbushur dëng me bulktha
të nuhatë ajrin. Duke e ndier kaprollja ka dalë nga pylli dhe ka ardhur
deri te një vend për të dëgjuar qëllimisht, pastaj ia ka mbathur me erën,
e për shkak se ajri po sjell erën e një llave ujqish në pritë –
demi nuhat dhe gërhit, por nuk ikën si dreri; por më tepër
i përfytyron orët në vijim kur do të zhvillojë një betejë të dëshpëruar
thjesht për ta humbur në fund, eshtrat e tij të shkapërderdhur
nëpër fushë nga hordhia e pangopur –
ngadalë, mjerueshëm, duke pëllitur në ajrin e pluhurosur.
Pikërisht kështu do të përfundojë beteja dhe unë, po ashtu,
do të bie, dhe qoftë ky një mësim për brezat e ardhshëm
dhe toka i mbrojttë eshtrat e mi.
22 gusht 1933
Shënim:
Radnoti e shkroi këtë poezi në moshën njëzetekatërvjeçare. Në të ai e paralajmëron një temë që do ta rimarrë në shumë poezi të tjera: atë të poetit që do të ketë një vdekje heroike si sakrificë për njerëzimin dhe të shtypurit. Poeti si figurë mitike dhe si simbol i rezistencës ndaj tiranisë ka precedentë të shpeshtë në letërsinë hungareze të përfaqësuar më së miri nga Sándor Petőfi, poeti i madh i revolucionit hungarez të pasuksesshëm kundër Austrisë më 1848, i cili kishte vdekur në moshën njëzetegjashtëvjeçare në betejë. Kjo është një prej poezive të hershme ku Radnoti paraqet një vizion fatalistik te vetvetes, një vizion që vazhdon ta ketë deri në fund dhe është i paraqitur më së miri në poezinë e tij të fundit, “Razglednica”, të gjetur në trupin e tij në varrin masiv ku ishte hedhur.
/Marrë nga Miklos Radnoti, ‘The Complete Poetry in Hungarian and English’, McFarland & Company, 2014
/Gazeta Express