Pindari (518 – 438), poet grek, njëri prej eksponentëve më të mëdhenj të lirikës korale. Vepra e tij – e përmbledhur nga filologët aleksandrinë – ka mbërritur deri te ne vetëm pjesërisht. Tradita mesjetare i ka ruajtur të plota vetëm katër librat e epinikioneve që përfshijnë 14 Olimpiket, 12 Pitiket, 11 Nemetë dhe 8 Istmiket.
PËR ERGOTELIN DHE TIKËN
Pindari
Tika shpëtimtare,
bija e Zeusit çlirimtar, unë po të lus,
mbroje Himerën nga forca e paanë.
Ti i mbarështon anijet në det
luftërat e stuhishme në tokë
dhe agorat që na sjellin këshilla.
Shpresat e njerëzve
presin valët fundosëse, ngrihen
dhe bien, para erërave mashtruese:
askush kurrë s’ka gjetur ndonjë shenjë të sigurt
nga Zotat për veprat e së ardhmes,
të verbra janë mendimet e së nesërmes.
Shumë gjëra kanë bërë vaki në kundërshtim me këshillat
dhe nga gëzimi sërishmi largohemi,
hasim në shtrëngatë e fatkeqësi,
mandej për pak kohë në një të mirë më të thellë.
O biri i Filanorit, këndezi luftarak
nuk do kishte lavdi afër oxhakut,
e emri yt, o vrapues, i heshtur,
pemë që humb gjethet e veta,
nëse një kryengritje s’do të të kishte
larguar nga Knosi, toka e etërve të tu.
Tash ti je kurorëzuar në Olimp,
dhe je dy herë fitues në Pit,
pastaj ke fituar në Istm dhe aty ku e ke
fushën dhe shtëpinë tënde, Ergotel,
u thur lavde banjave të nxehta të nimfave.
Shënim:
Nga Enzo Mandruzzato
Ergoteli, i cili ka fituar në Pit në vitin 470, duke konfirmuar triumfin e dy viteve më parë, është nga Himera. Shumë gjëra kanë ndodhur në Himerë në vetëm dhjetë vjet: tirania kriminale e Tersilit, i përzënë nga Teroni, pastaj, nën muret e tij, triumfi i grekëve ndaj kartagjenezëve me çka nisi koha e drejtësisë dhe paqes, e mbrojtur nga dy dinastitë aleate dhe të familjarizuara; sundimi famkeq i Trasidit, birit të Teronit dhe indinjimi i qytetarëve që i kërkonin ndihmë të atit; Trasidi që mori armët kundër tij dhe u bë aleat me Polizalin, vëllain dhe rivalin e Teronit të Sirakuzës dhe urtësia dhe qëndrueshmëria e tij, të domosdoshme që Teroni ta rikthente paqen. Por pas vdekjes së tij Trasidi, pa qenë I provokuar fare, u shpalli luftë Hieronit dhe u mund, u shfronësua dhe u mbyt.
Dinastia e dashur, antike dhe e përgjakshme e emenidëve është lënë në harresë; në Agrigjento, ashtu si edhe në Himerë, bujaria e Hieronit ka sjellë damokracinë e pasigurt. Ngjarje të dhimshme dhe misterioze që dëshmonin fuqinë e të të paparashikueshmes, Tikës.
Por Tike nuk është për Pindarin ajo që do të jetë për racionalizmin “sokratik”, e keqja, ngase e mira nuk gjendej te Logosi, por te plotfuqishmëria e Zotave dhe “rastësia” ishte mjaft e ngjashme me atë që një i krishter i kohës sonë e ka quajtur “Zoti në incognito”. E mira pra mund të kthehet dhe do të kthehet. Shorti i Ergotelit, guximtari që nuk do të kishte njohur lavdinë po të mos ishte përzënë nga Knosi, është simbol dhe urim.
Agora – Sheshi, siç e dimë, ishte qendra e jetës publike qytetare.
Shpresat… – edhe ato të ngjashme anijet; e gjithë periiudha poetike këmbëngul në motivin – që do të ketë fat të posaçëm në periudhat e mëvonshme – e “detit” të Tikës.
Këndezi luftarak – i përleshjeve, garave (gjeli ishte po ashtu simbol i qytetit, i gdhendur në monedha).
Knosi – në Kretë. Duket se pjesëmarrja e kretezëve në garat panhelenike ishte e zbehtë. Me shumë gjasë Ergoteli ishte në mesin e atyre “dorëve dhe qytetarëve të rinj të një trungu tjetër” që Teroni i kishte tërhequr në Himerë për rindërtimin e qytetit (sipas Diodorit më 476, XI, 49: datë e diskutueshme). Shtëpia e kampionit duhej të ishte në Terme (sot Termini Imerese, 55 km në perëndim, ku ksihin buruar ujërat e nxehta të famshme për ta këndellur Herakliun nga njëra prej bëmave të tij siciliane.
/Marrë nga Pindaro, ‘Tutte le opere’, Bompiani, 2010
/Përkthimi: Gazeta Express