Poezia e javës / Montale: Historia nuk zhdërvillet - Gazeta Express
string(47) "poezia-e-javes-montale-historia-nuk-zhdervillet"

Poezia e javës / Montale: Historia nuk zhdërvillet

Arte

Gazeta Express

05/08/2022 17:26

 ‘Satura’ është botuar më 1971, atëherë kur Montale veç ishte poeti më i njohur italian. Më 1975 iu nda Çmimi Nobel për Letërsi.

Manifest i antihistoricizmit montalian, kjo poezi është njëra ndër më të njohurat dhe më të cituarat nga përmbledhja ‘Satura’: nëse jo një elozhe e një ndarjeje të supozuar të intelektualit nga rrjedha e ngjarjeve historike që e përfshijnë si njeri, por më shumë mbrojtje e lirisë së individit të vetëvetëdijshëm nga determinizmi me të cilin do të donin ta ndëshkonin filozofitë e ndryshme të historisë, qofshin ato të llojit religjioz, idealistike apo materialistike. Tema përsëritet në eseistiken montaliane të viteve Gjashtëdhjetë dhe është sqaruar me përpikëri nga autori në një intervistë të vitit 1971 me rastin e botimit të ‘Satura’: «Nëse historia është një vazhdë faktesh dhe historiani është ai që i regjistron dhe shënon këto fakte, asksh prej nesh nuk i shpëton historisë. Megjithatë, nëse historiani dëshiron të na demonstrojë se faktet përmbajnë një finalitet, një telos providencial, atëherë i vetëquajturi historian s’do të mundë të bëjë tjetër veçse ta justifikojë gjithë atë që ndodh, me entuziazëm të posaçëm dhe me hile, për periudhat më shkretuese të shout të madh final».

Lexo Edhe:

Në një vend tjetër, ende më eksplicit: «Historia, si tendencë e domosdoshme e një qëllimi, sipas meje është iluzion i kultivuar nga filozofia post-hegeliane: historicizmi dhe marksizmi. Janë filozofi të asaj që ndodh. Gjunjëzohen para fakti të kryer, mbase edhe e hyjnizojnë. Historia që koincidon me qenien, domosdoshmërisht, historia që është e tëra, më duket se nuk i jep njeriut asnjë ndjenjë përgjegjësie dhe e lë plotësisht të çarmatosur».

Modeluar duke u bazuar te litania, prej së cilës e merr lëvizjen e vazhdueshme anaforike, Historia mund të mburret se ka precedentë domethënës, jo vetëm nga pikëpamja formale në disa prozëza satirike të kompozuara mes qershorit dhe korrikut të vitit 1952 për ‘Corriere d’informazione’, jo rastësisht të ripropozuara në vëllim në të njëjtin vit me përmbledhjen ‘Satura’ (La poesia non esiste, Scheiwiller, Milano 1971): «Intelektuali e marinon sallatën me vaj dhe limon. / Intelektuali mendon se Verdi ia ka dalë mbanë shumë vonë të mësojë zanatin e tij dhe se në pleqëri e ka nxjerrë atë kryeveprën që quhet ‘Falstaff’. / Intelektuali e preferon muzikën e pastër, mbi të gjitha të Bachut (emrin e të cilit e shqipton me fërkim të fortë qiellzor). / Intelektuali e braktis Partinë Komuniste, veçse nuk e pranon se ata që kurrë s’kanë qenë pjesë e saj kanë të drejtë».

Historia nuk zhdërvillet

si një zinxhir

i pandërprerë hallkash.

Për çdo rast

shumica e hallkave nuk mbajnë fare.

Historia nuk ka

para dhe pas,

asgjë brenda saj që të murmurisë

në zjarr të lehtë.

Historia nuk është e prodhuar

nga ai që e mendon, po as

nga ai që e injoron. Historia

nuk i hap rrugë vetes, nuk ngulmon,

e ka zët pak e pakun, nuk përparon

as nuk prapambetet, zhvendoset në binarë

dhe drejtimi i saj

nuk është në orarin e nisjeve.

Historia nuk justifikon

dhe nuk qahet,

historia nuk është e brendshme,

sepse është jashtë.

Historia nuk mbarështon

përkëdhelje a goditje kamxhiku.

Historia nuk magjistër

e asgjëje që ka të bëjë me ne.

T’i biesh në të nuk të hyn në punë asgjë

ta bësh më të vërtetë dhe më të drejtë.

Marrë nga Eugenio Montale, Satura, Mondadori, 2009

/Përkthimi: Gazeta Express