Louise Elisabeth Glück (1943 –2023), ka qenë poete edhe eseiste amerikane. Ka botuar dymbëdhjetë përmbledhje poetike. Më 1993 ka fituar çmimin Pulitzer për poezi me përmbledhjen ‘The Wild Iris’. Më 2003 i ishte dhënë titulli prestigjioz i poetes laureate të ShBA-së. Më 2014 National Book Award për poezi. Ndërsa më 2020 çmimi Nobel për letërsi.
IMAZH PASQYRE
Sonte e pashë veten në dritaren e errët si
një imazh të babait tim, jeta e të cilit
qe harxhuar kësodore,
duke menduar për vdekjen, në përjashtimin
e çështjeve sensuale,
ashtu që në fund nuk qe zor
të hiqej dorë nga ajo jetë, përderisa
nuk përmbante gjë fare: bile
as zëri i nënës sime nuk mund ta bënte
të ndryshonte a të kthehej mbrapa
duke qenë se ai besonte
se kur nuk mund të duash një tjetër qenie njerëzore
atëherë s’ke vend më në këtë botë.
***
Nga përmbledhja Ararat (prej nga është marrë kjo poezi), botuar më 1990, hetojmë se autorja nuk është se kishte ndonjë lidhje gjithaq të afërt me të atin, «heroin e vetëm të familjes», asaj «familjeje për të cilën nuk mund të shkruhet një roman», vdekur para pak kohësh. Mbase ngase që të dy ishin natyra më të mbyllura dhe më refuzuese. Në fakt, e gjithë përmbledhja është një raport kronik mbi marrëdhëniet familjare – marrëdhënia e saj me të atin, me nënën, motrën (pa përjashtuar gjyshen dhe tezën «dy shenjtorët e vetëm të familjes») dhe në fund me fëmijën e saj dhe ata të së motrës.
Edhe në këtë poezi, si edhe në mbarë përmbledhjen, vdekja është toposi thelbësor. Vdekja është argumenti rreth të cilit sillen të gjitha mendimet (e babait), në harkun e asaj ekzistence që na është dhënë, dhe rrjedhimisht edhe burimi, paradoksalisht, i shterjes së jetës. Për më keq, nga ai hon s’e nxjerr dot as zëri i dashurisë së tij, asaj që supozohej dhe pretendohej të ishte dashuria e tij, që mbase disi ishte dikur por s’është më përfundimisht. Ngase, tashmë ka ndarë mendjen dhe ky mund të jetë një parim në dukje ektravagant, por në esencë shumë njerëzor: «kur nuk mund të duash një tjetër qenie njerëzore / atëherë s’ke vend më në këtë botë».
/Marrë nga Louise Gluck, “Poems, 1962 – 2020”, Penguin, 2022.
/Përkthimi: Gazeta Express
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...