Këtë herë për ‘poezinë e javës’ kemi përzgjedhur poezinë ‘Për aq sa të mundesh’, të Kavafisit. Për korrektësi ndaj përkthimeve ekzistuese në shqip, në këtë rast, kemi bartur edhe versionin e Llambro Rucit
Konstandin Kavafisi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863. Pas vdekjes së të atit, familja zhvendoset mes Liverpoolit, Londrës dhe Stambollit, deri më 1878. Pas rikthimit në Aleksandri, ndjek liceun ekonomik. Pas trazirave nacionaliste më 1882, ikën prapë në Stamboll, ku zbulon homoseksualitetin dhe prirjen për poezinë. Pasi kthehet përfundimisht në Aleksandri, bën punë të ndryshme para se të pranohet në Zyren e ujitjes në Ministrinë e punëve publike, ku qëndroi deri në pensionimin e tij, më 1922. Vdiq më 29 prill 1933.
PËR AQ SA TË MUNDESH
Dhe nëse nuk mund ta bësh jetën tënde diç ta ka ënda
të paktën mundohu për këtë
për aq sa të mundesh: mos e poshtëro
me ndonjë familjaritet të tepërt me botën,
me ecejaket e njerëzve, me thashethemet.
Mos e përul duke e çuar poshtë e përpjetë,
nëpër rrugë, dhe mos ia ekspozo
budallallëqeve të përditshmërisë
të relacioneve, të lidhjeve,
aq sa ta bësh të huaj, të bezdisshme.
(Përkthimi i lirë në shqip sipas përkthimit në italisht të Andrea Di Gregorio-s)
PËRKTHIMI NË SHQIP I LLAMBRO RUCIT:
Sa të mundesh
Dhe nëse nuk mund ta bësh jetën tënde siç e do,/ për këtë të paktën përpiqu/ sa të mundesh: mos e përdhos / mes bashkimeve të shumta me botën,/ mes bredhjeve të shumta dhe llafeve bosh. // Mos e përdhos duke e dhjamosur,/ duke e vërtitur dhe duke e ekspozuar / në marrëzinë e përditshme / të marrëdhënieve dhe shoqërimeve,/ gjersa të bëhet si një barrë e huaj.
/Marrë nga Kavafi, Poezia, Ombra GVG, 2001
***
Nga Andrea Di Gregorio
Është e shkëlqyeshme kjo mësymje me lidhëzen «dhe», që bën të mendosh për një reflektim të gjatë, mbase edhe për një bashkëbisedim që rifillon me këto vargje. Është poezia e vetme e Kavafisit që fillon me një lidhëz, si për t’i dhënë poezisë një statut konkludimi (qoftë edhe provizor), një pikë të paqëndrueshme, por është një hyrje jo e rrallë: Foscolo («E tu ne’ carmi avrai perenne vita»), Quasimodo («E come potevamo noi cantare»), Pascoli («E s’aprono i fiori notturni»), Montale («E il Paradiso, esiste il Paradiso?»).
Shkruar mes viteve 1905 dhe 1913, në dy strofa prej pesë vargjesh të lira, mes të cilave megjithatë mbizotërojnë njëmbëdhjetërrokëshat, është njëra prej poezive më të njohura të Kavafisit, e edhe një lloj deklarate programatike që – siç është e pashmangshme – shpesh qe shkelur në jetën e përditshme, në larjen e hesapeve me dëshirën. Është një tjetër aspekt i forcës: asaj që nuk heq dorë nga kënaqësia, por e kultivon përkorjen, ngase kënaqësia duhet të mbetet e pastër dhe për këtë ka nevojë për një trup të pastër. Dhe kështu tema e “trup-tempull” që duhet të nderohet dhe të mbahet e pakontaminuar, kaq e pranishme dhe e fortë te krishterimi, te Kavafisi ruhet sado që duke u transformuar krejtësisht: trupi i pastër nuk është trupi i virgjër, por ai që njeh dhe kultivon vetëm këanqësinë e pastër.
/Marrë nga Constandino Kavafis, “Poesie”, Garzanti, 2017
/Përkthimi: Gazeta Express