Konstandin Kavafisi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863. Pas vdekjes së të atit, familja zhvendoset mes Liverpoolit, Londrës dhe Stambollit, deri më 1878. Pas rikthimit në Aleksandri, ndjek liceun ekonomik. Pas trazirave nacionaliste më 1882, ikën prapë në Stamboll, ku zbulon homoseksualitetin dhe prirjen për poezinë. Pasi kthehet përfundimisht në Aleksandri, bën punë të ndryshme para se të pranohet në Zyren e ujitjes në Ministrinë e punëve publike, ku qëndroi deri në pensionimin e tij, më 1922. Vdiq më 29 prill 1933.
NË KISHË
E dua kishën: engjëjt me shtatë krahë, serafinët,
orenditë e argjenta, shandanët,
dritat dhe mandej ikonat, amvonën.
Kur hyj në kishën greke,
mes temjanëve të saj, melodive
të kremtuesve dhe polifonive,
në figurat solemne të prelatëve,
flakërues në parametrat e tyre,
dhe në ritmin e përkorë të lëvizjeve të tyre,
mendja kthehet te nami i madh i njerëzve tanë,
te bota jonë e lavdishme bizantine.
SHËNIM:
Andrea di Gregorio
Kjo poezi e botuar më 1912, siç edhe shihet qartë, ka fare pak të bëjë me temat e Kavafisit. Megjithatë, në stilin e Kavafisit, na thotë diçka. Se poeti vlerëson madhështinë e kishës, atmosferën mistike, pasurinë dhe, duke u paraqitur kështu si një grek i vërtetë (pavarësisht të gjithave) ndihet i lidhur me religjionin, ngase është në natyrën e grekëve të ndihen (edhe kur nuk janë) ortodoksë dhe të lidhur me lavditë antike. Por vetëmm me religjionin të kuptuar si konstrukt, si lidhje shoqërore. Asgjë nuk na thuhet për fenë.
Në të vërtetë dy vargjet e fundit janë njëmend të stonuara, jo vetëm për një poet si Kavafisi, por edhe për një poet tout court. «Të qenët tonë të lavdishëm» («mendja të shkon tek epoka bizantine» e ka përkthyer një përkthyes tjetër) do të figuronte më mirë në një fletushkë të propagandës nacionaliste. Sidoqoftë, nëse lexohet në një çelës të vetëm (sipas mendimit tim) të mundshëm, pra të atij të ironisë, papritur zbulojnë mbarë misterin: distancimi, i ngrohtë dhe empatik, i Kavafisit tkurr raportin e tij me kishën në liturgjinë dhe atmosferën solemne dhe në kujtimet e një granduer për të cilën flitet aq shumë, por ndaj të cilës është legjitime të kemi ca dyshime.
/Marrë nga Constandino Kavafis, “Poesie”, Garzanti, 2017
/Përkthimi: Gazeta Express