Poezia e javës/ Hafëzi: Divani, XXI - Gazeta Express
string(32) "poezia-e-javes-hafezi-divani-xxi"

Arte

Gazeta Express

09/01/2026 16:10

Poezia e javës/ Hafëzi: Divani, XXI

Arte

Gazeta Express

09/01/2026 16:10

āfe, përkatësisht Khaled Khwāje Shams o-Dīn Moammad āfe-e Shīrāzī (Shiraz, 1315 – Shiraz, 1390), ka qenë poet dhe mistik persian. Përmbledhja e poezive ‘Divani’ (titulli do të thotë ‘Ai që di të recitojë Kuranin përmendësh’) është një klasik i letërsisë persiane. 

XXI 

E gjithë shuma e lumturisë tokësore 

Nuk vlen sa koka e ulur e një momenti dhimbjeje, 

Dhe nëse shes për verë rrobën time prej dervishi,

Më e vlefshme është ajo që fitoj se sa ajo që shes!

Tokë ku Zonja ime banon, ti më mban 

Të magjepsur; ndryshe Farsi s’do të ishte veçse tokë djerrë,

Nuk ia vlen udhëtimi nëpër tokë dhe nëpër det, 

Nuk ia vlen mundimi!

Poshtë në mëhallë ku shesin verën e kuqe, 

Qilimi im i shenjtë mezi do të më siguronte një kupë 

Sa madhështor është pengu im i mëshirës,

Që nuk vlen as sa një këlshejt avullues!

Armiku im u mbush vrer ndaj meje dhe më tha

“Shporru nga dera e tavernës sime!” Pse po më 

Përzënë nga pragu? A mos koka ime e anuar 

Nuk vlen sa pluhuri?

Llavë e bardhë veshje jote e trishtë e njollosur nga udhëtimi!

Ku fjala dhe e bëma kanë një të njëjtën ngjyrë,

Rroba e hirshme e purpurt e rrushit do t’i lërë nën hije

Leckat e tua të shumëngjyrshme dhe të zhubravitura. 

Pikëllimi i detit dukej aq i pakët

I lehtësuar nga shpresa e fitimit – shpresa u zhbë fare shpejt 

Njëqind perla ishin zhdëmtimi i varfër, 

Nuk ia vlente të rrezikohej. 

Kurora e sulltanit, me vargun e xhevahireve që s’kanë çmim, 

Frika rrethore e vdekjes dhe tmerrit të pashqitshëm 

Është një kapelë koke e shumëdëshiruar – prapëseprapë 

A je i sigurt se ia vlen të rrezikohet koka?

Më mirë do të ishte të fshehësh fytyrën prej atyre 

Që e lakmojnë; shpërblimi i pushtuesit 

Nuk vlen kurrë sa vuajtjet e gjata të ushtrisë,

Vlen zjarri dhe shpata. 

Ah, kërkoje thesarin e mendjes së qetë 

Dhe depozitoje në thesarin e Rehatisë;

Nuk vlen sa zemra luajale, gjoksi i qetë, 

Të gjitha pasuritë vendeve dhe deteve!

Ah, përbuzi, si Hafizi, kënaqësitë e tokës,

Mos i kërko asnjë kokërr favori vegjëlisë, 

As për dyqind thasë xhevahire nuk ia vlen 

Të mjerosh shpirtin tënd!

Strofa e parë

Sir Henry Layard e përshkuan kështu një ndejë dervishësh me të cilët udhëtonte, nga ku mund të shihet se përbuzja e Hafizit ndaj zakoneve të dervishëve nuk ishte e pavend: “Ata ishin një ekuipazh piktoresk dhe i larmishëm. Një a dy prej tyre ishin ajo që persianët e quajnë luti, burra të rinj me kaçurrela shumë të lyera, tesha të gjata dhe kapela në formë koni të mbështjella me ngjyra të shumta – tipa të zvetënuar dhe të shthurur, të cilët, nën petkun e varfërisë dhe duke ngjallur përkorjen dhe mëshirën, ishin të dhënë pas çdo lloji të vesit. Të tjerët ishin njerëz të egër gjysmë të zhveshur, me flokët që u binin teposhtë shpinës dhe lëkurat e gazelave në supe – këmbëzbathur, të palarë dhe të mbuluar nga parazitët. Bartnin çomange hekuri dhe dukeshin më të prirë t’u kërkohej se sa të kërkonin mirësi. Duke ecur bërtisnin ‘Ja Allah! Ja Muhamed! Ja Ali!’ Të gjithë kishin të varura në supe guaska arre kokosi të gdhendura, që u shërbenin për të bartur ushqime dhe pije. Përreth qafës bartnin hajmali dhe varëse magjike, me gurë të çmuar dhe shirita dhe xhufka të shumëngjyrshme.” Dhe vazhdon: “Shumica e dervishëve persianë, megjithëse kanë pretendime të larta rreth shenjtërisë, me anë të së cilës vihen mbi popullin, lart e poshtë, nuk kanë kurrfarë religjioni. Sidoqoftë, besohet të bëjnë mrekulli dhe se janë në gjendje të japin hajmali të efektshme… Prandaj këta dervishë janë mashtrues të rangut dhe përgjithësisht maskarenj të pacipë, ruajnë ndikimin e tyre mbi persianët injorantë dhe besëtytë të të gjitha klasave, të cilët ua kanë frikë fort dhe nuk guxojnë t’i fyejnë. Rrjedhimisht, askush nuk e merr mundin të mos ua hapë derën në shtëpinë e tij, madje edhe në të ndarat e grave, ku ata që ecin krejtësisht lakuriq dhe shihen si shenjtorë të veçantë dhe të mbrojtur nga Allahu dhe Aliu, mund të hyjnë brenda pa u ndëshkuar. Ndonjëherë kërkojnë një shumë të caktuar parash nga një pasanik dhe nëse ai refuzon të paguajë, atëherë do të vendosen në derën e oborrit të tij, ose në verandën e shtëpisë së tij, ose jashtë aty diku afër dhe duke rrethuar një copë të vockël toke, do të mbjellin grurë ose lule dhe do të qëndrojnë aty derisa t’u jepet ajo që e kanë kërkuar, duke fishkëllyer natë e ditë, duke thirrur emrin e Muhamedit, Aliut dhe të imamëve, ose duke i rënë bririt të buallit që të trazojnë tërë mëhallën. Të zotët dhe banorët e shtëpisë kësisoj janë të pashpresë. Nuk kanë guxim t’i dalin kundër forcës së njerëzve të shenjtë.” 

Strofa e dytë

Duhet të thuhet pra se qilimi i lutjes i myslimanit ortodoks nuk ka vlerë të mjaftueshme që të sigurojë për të aq sa mund t’i sigurojë një gotë vere sufi. As nuk ia vlente barra qiranë të ulte kokën në dyshemenë e pluhurosur të tavernës – vendit të edukimit në doktrinën sufiste. 

Strofa e tretë 

Të jesh i veshur me një ngjyrë është idioma persiane e sinqeritetit. Kjo do të thotë se mbuloja e vetme e purpurt e rrushit vlen në shumë se sa rroba hipokrite e dervishit, e leckosur dhe zhubravitur në udhëtimin e tij të gjatë në rrugën e gabuar.

Strofa e pestë 

Deri më tani jam përpjekur të jap interpretimin mistik të poezisë. Sidoqoftë, këtu kemi një histori të bashkëngjitur që e kthen atë në një dokument historik më parë se sa teologjik. Tregohet se mbreti i Dekanit, Mahmud Shah Brahmanin, kishte dëgjuar për namin e Hafizit dhe duke qenë se kishte shije goxha të fortë për letërsinë kishte dëshirë të tërhiqte atë në oborrin e tij. Për rrjedhojë, e urdhëroi vezirin e tij, Mir Feiz Allah Inju, t’i dërgonte poetit një shumë të mjaftueshme parash për udhëtimin e tij nga Shirazi. Hafëzi ndau mendjen të pranonte ftesën. U doli zot punëve të veta në qytetin e lindjes, me një pjesë të parave që ia kishte dërguar Sulltani, duke paguar borxhet dhe duke shpërndarë dhurata për fëmijët e motrës së vet, pastaj u nis për në udhëtimin e tij. Por kur mbërriti në qytetin e Larit hasi në një të njohur që kishte rënë një gjendje shumë të keqe, pasi që ishte plaçkitur nga hajnat dhe ishte katandisur në gjendjen e lypsarit. Hafizi ishte prekur shumë nga dhembshuria dhe ia kishte dhënë pjesën e mbetur të parave që ia kishte dërguar Mahmud Shahu. Tash ai vetë nuk ishte më në gjendje të vazhdonte udhëtimin shkaku i mungesës së mjeteve dhe me gjasë ishte përvoja më e hidhët që e kishte mësuar se në të vërtetë qilimi i tij i lutjeve nuk do t’ia siguronte një gotë verë dhe se pa pjesët e argjendta të domosdoshme do ta përzinin nga dyert e tavernës. Nga këto vështirësi e kishin shpëtuar dy tregtarë miqësorë, të cilët po ashtu ishin rrugës për në Indi dhe të cilët kishin ofruar t’ia paguanin shpenzimet për në Hormuz dhe aty ta hipnin në një anije të Mahmud Shahut, që kishte ardhur t’i merrte. Hafizi e kishte pranuar ofertën, kishte shkuar në Hormuz dhe pra kishte hipur në anije. Por, para se të niseshin nga porti kishte shpërthyer një stuhi e fuqishme dhe e kishte bindur poetin se çfarëdo dobie që do të kishte nga udhëtimi nuk do t’ia vlente për shkak të mundimeve që do t’i sillte deti. Me pretekstin se do të përshëndetej me disa miq, ai kishte zbritur nga anija dhe me nxitimin më të madh kishte bërë çmos të kthehej në Shiraz, duke ia dërguar Feiz Allahut këtë poezi si një ndjesë që nuk kishte mundur të mbante premtimin. Veziri ia kishte lexuar Mahmud Shahut, i cili ishte prekur nga bukuria e vargjeve dhe dinjiteti filozofik në të cilin Hafizi e kishte fshehur frikën e tij nga rreziku i rrugës dhe bezditë e mundimeve të detit. Me një bujari të veçantë ai i kishte dërguar poetit që i mungonte në oborr një dhuratë tjetër, që konsistonte në një shumë të paktën sa një pjesë e pasurisë së tokave dhe deteve të tij. 

/Hafiz, Collected Poetical Works, Delphi Classcis, 2017

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement