Georgi Gospodinov, i lindur në Yambol të Bullgarisë në vitin 1968, ka studiuar filologji bullgare në Sofje, ka doktoruar në Institutin Letrar të Akademisë Bullgare të Arteve dhe ka punuar në një gazetë letrare që nga viti 1993. Është kolumnist për gazetën e përditshme Dnevnik dhe punon në Institutin Letrar të Akademisë Bullgare të Arteve.
Në vitin 1992, Gospodinov bëri debutimin e tij me librin me poezi “Lapidarium”, i cili u nderua me çmimin kombëtar për debutimin më të mirë. Më 1996 pasoi “Tschereschata na edin narod” (Pema e qershisë e një kombi), e cila u nderua me çmimin për librin më të mirë të vitit nga Lidhja e Shkrimtarëve Bullgar.
Në vitin 1999 u botua romani i tij i parë “Estestven roman” (“Roman natyral”). Romani
është botuar në 23 gjuhë. New Yorker
e përshkroi romanin si një “debutim anarkik dhe eksperimental”.
Romani i dytë i Gospodinov, “Fizika e pikëllimit” (2012), fitoi disa
çmime kombëtare për romanin më të mirë, ndër të cilët Çmimin Kombëtar për
Romanin më të Mirë të Vitit (2013). Libri ishte fitues i Çmimit Angelus të
Evropës Qendrore (2019) dhe i Çmimit Jan Michalski (2016) dhe finalist për
katër çmime ndërkombëtare në Itali dhe Gjermani: Premio Strega Europeo, Premio
Gregor von Rezzori, Brüke Berlin Preis dhe Çmimin Haus der Kulturen der Welt.
Romani u vlerësua gjerësisht në Evropë dhe në SHBA. Sipas Neue Züricher Zeitung
(NZZ), “Georgi Gospodinov ngrihet mbi ultësirën e romanit komercial dhe konvencional, duke shpëtuar jo
vetëm veten, por edhe letërsinë – dhe bashkë me të edhe mbarë botën”. Edicioni
amerikan i romanit u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin e Përkthimit PEN
2016 dhe Çmimin e Librit Më Të Mirë Të Përkthyer (Ang. BTBA).
Ai ka botuar gjithashtu katër libra me tregime, i pari Dhe tregime tjera (2001), i fundit Gjithë trupat tanë. Tregime ultra të shkurtra (2018). Vaisha e vërbër, një animacion i shkurtër (regjisor Theo Ushev) i bazuar në tregimin e shkurtër të Gospodinov, ishte i nominuar për çmimin Oscar në 2017.
Gospodinov ka shkruar dy drama – D.J. (një shkurtim i Don Juan) dhe Apokalipsi vjen në orën 18:00 (2010), të dyja të shpërblyera me çmime kombëtare për tekstin më të mirë dramatik të vitit. Eksperimentet e tij të palodhura me zhanre të ndryshme përfshijnë libretin për Opera Space (2015, Poznan, kompozitor A. Novak), romanin grafik Miza e përjetshme (së bashku me artistin N. Toromanov), koleksionin e eseve Krizat e padukshme.
Libri i tij i fundit është romani “Strehë kohe”. I botuar në prill 2020 në mes të karantinës dhe pikut të pandemisë, ai kryesoi listat e librave më të shitur në Bullgari.
Lepuri i dashurisë – GEORGI GOSPODINOV
Kthehem pas pak, tha ajo
dhe e la derën të hapur.
Ishte një mbrëmje e veçantë për ne,
në pllakën e sobës gatuhej një lepur,
ajo kishte prerë qepë, feta karrote
dhe thelpinj hudhre.
Nuk e hodhi krahëve pallton
nuk vuri buzëkuq, nuk e pyeta
se ku po shkonte.
Kështu është ajo.
Kurrë nuk kishte pasur asfarë sensi të kohës,
gjithmonë vonohej në takime; kjo ishte e gjitha
që tha atë mbrëmje:
kthehem pas pak;
as që kishte mbyllur derën.
Gjashtë vjet më vonë
e takova në një rrugë tjetër,
përnjëherë u duk e brengosur,
si dikush që kujtohet se ka harruar
të heq hekurin e rrobave nga priza,
apo diçka ngjashëm.
E ke fikur pllakën e sobës, më pyet.
Akoma jo, ia kthej.
Këta lepujt dinë të jenë goxha të zorshëm për t’u zier.
/Nga anglishtja: Valon Veliqi
/Gazeta Express