Giovanni Giùdici (1924 – 2011); poet, eseist, përkthyes italian.
JETA NË VARGJE
Nga Giovanni Giudici
Vëre në vargje jetën, përshkruaj
besnikërisht, pa heshtur
asnjë hollësi, dukjen e të gjallëve.
Po mos harro se të shohësh nuk është
të dish, as të mundësh, përkundrazi qesharake
një tjetër të duash të jesh pos teje.
Në botën përposh dhe sipër lidhen
komplicitetet e të brendshmeve, shigjetojnë shikime
ujdish. E të pranishmit mbështeten
në limbin e parmakëve të ndërmjetmë:
duartrokasin, vajtojnë që të dy kuptimet
e sublimës – i poshtri, i fismi.
Ndërkohë vëre në vargje se të vdesin
është e mundshme për të gjithë më shumë se sa të lindin
dhe për çdo rast të jesh është më shumë se sa të thuash.
Koment:
Që nga përmbledhjet e para, si ‘La vita in versi’, (1965), nga ku janë nxjerrë këto tercina në të cilat vargu i parë rimon me vargun e tretë, poezia posthermetike e Giovanni Giudicit është definuar një lloj neokrepuskolizmi ironik, ose thënë më mirë vetironik, që këmbëngul te ndodhia autobiografike: diskursi i tij poetik është fryt i një përzierje të formalizuar lartësisht, nganjëherë pothuajse në kufirin e manierizmit, impulsesh shoqërore, reminishencash kaotike dhe populliste; formash e figurash të realitetit të përditshëm, me frustrimet e tij të dhimbshme; ‘klishesh’ përafrimi i të cilave i bën befasitë ekzistenciale të brofin.
Në dialogun ideal mes poetit dhe sozisë së tij, një personazh kritik i mprehtë intelektual i borgjezisë së vogël, në botën e poshtme dhe të sipërme, spektatorët (të pranishmit) dalin në një lloj limbi për të duartrokitur dhe vajtuar atë që do të mund të definohej vanitas vanitatum i të ekzistuarit njerëzor.
Të përkthyera në vargje, jeta dhe poezia janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, në atë formën e hidhët dhe zhgënjyese, moralizuese dhe të mbështetur nga një moralitet i dendur, me prejardhje montaliane dhe pasoliniane.
/Treccani.it
/Gazeta Express