string(34) "poezia-e-javes-dannunzio-trishtimi"

Arte

Gazeta Express

14/02/2025 15:13

Poezia e javës/ D’Annunzio: Trishtimi

Arte

Gazeta Express

14/02/2025 15:13

Gabriele D’Annunzio, (1863 – 1938), prozator, poet, dramaturg, gazetar, ushtarak dhe politikan italian – simbol i dekadentizmit. 

TRISHTIMI

Lexo Edhe:

Nga Gabriele D’Annunzio

Trishtim, ti zbret sot nga Dielli.

Pamja jote e ndryshueshme është reja

e qiellit e shkumat e detit

janë skajet e rrobës tënde të gjatë të linjtë.

Dukesh si Hermiona, i vetmuar* si ajo

që nga heshtja të del përpara vetëm

duke e mbajtur si krah pëqinë e bardhë.

Po, i ngjan, aq sa unë do të mashtrohesha

po të mos e shihja cullufën manushaqe

mbi faqen tënde ende të qullët nga shiu.

Ka aq shumë trëndafila në prehër

sa gjembi i të mbramit ia shpon

mjekrën dhe duket si syth melakuqi.

Si faun mjekrosh

pranë e pranë kafshon trëndafilat

cjapi i përbaltur dythundror.

Shënim:

* Në tekstin në origjinal, tristezza (trishtimi) është emër i gjinisë femrore.

KOMENT:

Nga Federico Roncoroni

Data e kompozimit të lirikës është e panjohur, po me gjasë duhet të jetë shkruar në vjeshtën (shtator-tetor?) e vitit 1903. Lirika në të vërtetë bën pjesë në mesin e atyre tashmë të futura në një listë të lirikave të përmbledhjes Alcyone, të asaj periudhe. Ishte botuar për herë të parë vetëm në këtë vëllim.

Kompozimi që, në ekonominë e kujdesshme strukturore dhe muzikore të librit Alcyone e ndjek, jo rastësisht, poezinë e vrullshme Ditirambo IV, kushtuar mitit të Ikarit, e hap seksionin e fundit të librit, atë që do të këndojë shuarjen e lehtë dhe të pandalshme të verës. Është në të vërtetë parandjenja e vjeshtës tashmë fare afër që nxit te poeti një ndjenjëë melankolie. Trishtimi, në të vërtetë, është në zemrën e tij, por atij i duket se ai i zbret nga dielli, jo më rrezatues dhe lart në qiell si gjatë verës, dhe se ka pamjen dhe elegancën e një krijese të dergjur femërore. Bile, ndjenja e vagullt e trishtimit që e gjallëron poetin mishërohet patjetër në një figurë femërore, ku ai në fund njeh fytyrën melankolike dhe hapërimin elegant të Hermionës, gruas së dashur që së shpejti, pashmangshmërisht, do t’ia mbathë së toku me verën, duke e lënë vetëm.

E lehtë dhe e brishtë, lirika vihet në lëvizje nga një thirrore psherëtirëse dhe e pikëlluar («Trishtim, ti…») dhe zhvillohet nëpërmjet një shëmbëllese (krahasimi), më të komplikuar se eksplicite, ku, pas përcaktimit të raportit të identitetit mes trishtimit dhe gruas së dashur, termi i dytë merr vlerë më shumë se i pari dhe kështu e zëvendëson atë. Kësodore, imazhi abstrakt i trishtimit, që tashmë ishte mbudhur të merrte një pamje reale prej resh e shkumash detare, mishërohet plotësisht në imazhin e gjallë të Hermionës, e cila megjithatë, nga ana e saj, duke u thelbësuar nga ajo ndjenjë melankolike dhe e pandjeshme, shndërrohet në një imazh të pastër miti. Motivi i metamorfozës, tipik, siç e dimë, i përmbledhjes Alycone, gjen pra këtu njërën prej shprehjeve të saj më të lehta. Gjendja shpirtërore dhe figura femërore në të vërtetë shkrihen pandjeshmërisht në njëra-tjetrën, duke i lënë vend një krijese të vetme të një bukurie të hijshme dhe melankolike.

Toni i dergjur i kompozimit, me vlerat e tij muzikore, është funksional për gjendjen sentimentale të përshkruar.

Njëfarë rëndese, në krahasim me lehtësinë e së tërës, mund të vërehet te hollësitë plotësuese të përshkrimit, posaçërisht aty ku poeti lëshohet në një lloj kënaqësie aleksandrine piktorike. Sidoqoftë, personifikimi i trishtimit dhe pastaj paraqitja e Hermionës, me një rrobë të gjatë liri, me një tufë trëndafilash në prehër, me flokët ngjyrë manushaqe dhe faqet e perlëzuara me pika shiu, kanë shije pararafaeliane. Ndërsa tabloja e vockël që, në mënyrë të paparashikueshme dhe të papritur, e mbyll baladën me skenën e cjapit që kafshon trëndafilat, ka, siç ka vërejtur M. Praz, shije bökliniane dhe fsheh një reminishencë nga H. De Regnier.

/Marrë nga D’Annunzio, Poesie, Garzanti, 2009

/Përkthmi: Gazeta Express