string(38) "poezia-e-javes-arikiloku-fragmenti-191"

Arte

Gazeta Express

08/12/2023 16:32

Poezia e javës/ Arikiloku: Fragmenti 191

Arte

Gazeta Express

08/12/2023 16:32

Kjo pjesë është shkëputur nga eseja e Anne Carson (1950), ‘Eros the bittersweet’, botuar më 1986

Arkiloku është poeti i parë lirik transmisioni i të cilit ia ka parë hairin revolucionit alfabetik. Sado që vendosja kronologjike e poetit dhe ardhjes së alfabetit mbesin të paqarta, ka shumë gjasë që Arkiloku, i edukuar në traditën orale, të ketë hasur në teknologjinë e re të shkrimit dhe të jetë, pra, përshtatur me të. Sidoqoftë, dikush, mbase Arkiloku, ka shkruar këto vargje mbi atë se si ndihesh kur dhunohesh nga Erosi:

Një dëshirë e tillë dashurie,

që mbështillet përposh zemrës sime,

hodhi aq shumë mjegullinë në sytë e mi,

duke m’i vjedhur nga gjoksi mushkëritë e shkrifëta.

Fjala e parë e kësaj poezie, fragmenti 191, vendos një bashkëlidhje. Termi «toios» është një dëftor që do të thotë «i tillë», i përdorur rëndom në korrespondencë me përemrin lidhor hoios që do të thotë «si» ashtu që kur nis me toios një frazë e parë, atëherë sugjeron një të dytë me hoios që ta plotësojë mendimin. Poezia vë në skenë vetëm gjysmën e këtij mendimi, mandej ndërpritet. Megjithatë, nga gjerësia e saj, paraqet një ekonomi të përsosur. Fjalët, tingujt dhe theksat janë pozicionuar me një qëllim të krejt të qartë. Vargu i parë përshkruan erosin që mbështillet si nj lloj topi përposh zemrës së dashnorit. Fjalët janë renditur për ta reflektuar fiziologjinë e moemntit, me erosin që përvijon një spirale mu në qendrën e vargut. Një sekuencë tingujsh rrotullues në «o» (një i gjatë dhe pesë të të shkurtër) dhe bashkëtingëlloresh të mbledhura (katër çifte) e kthen tensionin erotik të dashnorit në një presion që mund ta ndiejë brenda vetes. Bashkëtingëlloret duket se janë zgjedhur për cilësitë e tyre insinuuese (të lëngëta, fishkëllore dhe të mbyllëta të shurdhëta). Skema metrike është një përzierje origjinale njësish daktilike dhe jambike, të kombinuara së toku për të imituar veprimin e dëshirës: i hedhur në një shpërthim epik daktilësh dhe spondesh ndërkohë që erosi shfaqet, pastaj vargu shpërbëhet në një shkulmë jambësh pikërisht në momentin kur dëshira arrin zemrën e dashnorit («kardiēn»). fjala e fundit e vargut është një pjesore («elustheis») që ka precedentë epikë. «Mbështjellë përposh barkut të një dashi» Odiseu ia del të ikë nga shpella e ciklopit. Priami, «mbështjellë në këmbët e Akilit», i lutet t’ia kthejë trupin e të birit. Në të dy kontestet epike, kjo gjendje e cenueshërisë së lartë është e një personi të fuqishëm që kështu mundohet t’ia imponojë vullnetin e vet armikut me të cilin po përballet. Fuqia e fshehtë është karakteristikë tradicionale e Erosit, në poezi dhe në art, aty ku është paraqitur si një çunak i pafaj shigjetat e të cilit rezultojnë vdekjeprurëse. Arkiloku sugjeron me takt një nuhatje të fshehtë kërcënimi, duke e bashkëlidhur pjesoren në fund të vargut pikërisht siç ndodh në të dy pasazhet homerike.

Vargu i dytë i err në mjegullinë sytë e dashnorit nga të dy anët. Bashkëtingëlloret e poetit ëmbëlsohen dhe dendësohen së toku me mjegullën në tingujt l, m, n dhe ch. Këta tinguj dyfishohen dhe kombinohen në një skemë të përsëritur që riprodhohet katër herë në përfundimin në tingullin n, si për të emfatizuar rënien e mjegullës në katër seri të lëngëta. Ritmi jambik i vargut hedh mjegullinë rreth syve të dashnorit, posaçërisht në metrin e dytë, ku një cesurë bie mes syve dhe mjegullës. Në këtë gjuhë jehojnë tone epike rreziku. Te Homeri, për shembull, mjegulla bie mbi shikimin e njerëzve në momentin e vdekjes.

Me vargun e tretë, Erosi i jep fund dhunës së tij. Një vjedhje e papritur ia nxjerr mushkëritë nga gjoksi dashnorit. Natyrisht, kështu përfundon poezia: kur vidhet organi i frymëmarrjes, fjala është e pamundshme. Vjedhja është vënë në skenë me një seri tingujsh në s (pesë) dhe vargu ndërpritet pa e kompletuar skemën metrike (tetrametri daktilik do të duhej të ndiqej nga një metër jambik, si në vargun e parë). Me gjasë kjo ndërprerje varet nga transmetimi i tekstit, më shumë se sa nga qëllimi i poetit. I njëjti shpejgim, do të thotë fragmentariteti i tekstit të Arkilokut, do të mund të kishte parasysh pritjet e papërmbushura sintaktike që shkakton përemri ndërlidhës me të cilën fillon poezia (toios). Pavarësisht të gjithave, bëhet fjalë për një tekst të studiuar me shumë kujdes, të paktën deri te pika ku arrin.

Poezia ndalet te phrenes e dashnorit. E kam përkthyer këtë fjalë me «mushkëritë» («lungs») dhe i jam referuar asaj si një «organi të frymëmarrjes». Po çka është frymëmarrja? Për grekët antikë, frymëmarrja është vetëdije, është perceptim, është emocion. Duket se phrenes mund të identifikohen me mushkëritë, në teorinë fiziologjike antike greke, sipas së cilës ato përmbanin shpirtin e frymëmarrjes që shkon e vjen, siç pohon Oniansi. Gjoksi është konsideruar nga grekët si një strehë e impresioneve sensoriale dhe mjet për secilën prej pesë shqisave; edhe të vënit re rë diçkajes, në aktin e shikimit, mund të thithet duke u nisur nga sendi që vërehet dhe përmes syve të atij që sheh, si për shembull te Hesiodi dhe Aristoteli. Fjalë, mendime dhe kuptim mirren dhe sillen nga phrenes. Për këtë te Homeri fjalët «thithen» kur dalin nga trupi i atij që flet dhe janë, nga ana tjetër, «pa krahë», kur mbesin të përmbajtura, të pathëna, në phrenes. Phrenes janë edhe organe të mendjes…

/Marrë nga Anne Carson “Eros e il dolceamaro”, Utopia, 3023

/Përkhtimi: Gazeta Express