Më 6 mars mbahet aktivitet i organizuar nga ‘Artpolis’ më Menzen Ramiz Sadiku, mbrëmja poetike “Poezi për Fuqi”.
Për eventin: Poezi për Fuqi – Revoltë në kohë të vështirë
Revolta nuk është gjithmonë britmë. Ndonjëherë është heshtje që vlon përbrenda. Përmes “Poezi për Fuqi” ju ftojmë në këtë akt revolte poetike – ta shkruajmë atë, ta themi, ta transformojmë heshtjen!
Revoltohemi për të mos lejuar që dhimbja të na shndërrojë në hije. Revolta jonë është refuzimi për t’u shuar. Revoltohemi që ta lindim poezinë tonë të çlirimit të mendjes e shpirtit.
Në këto kohë të vështira, revolta jonë poetike është shpërthimi ynë ndaj shtypjes, ankthit e pafuqisë. Poezia është guximi për t’u shprehur, për t’i thënë jo izolimit, heshtjes dhe stigmës mbi shëndetin tonë mendor, fizik e emocional.
Poezia, arti e fjala e thënë janë revolta që dhimbjen e kthen në forcë, heshtjen në zë, e mendimin e pashprehur në krijim. Të krijosh është të jetosh!
Ndaj ju ftojmë në mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi”, si një akt revolte, i guximit për t’u shprehur e shëruar. Kjo mbrëmje poetike vjen si një thirrje që të jetojmë plotësisht me mosperfeksionin tonë – në perfeksionin tonë për të dashuruar e frymëzuar njëri-tjetrin.
Kjo natë poetike do të shoqërohet nga tingujt magjikë të “Don’t Listen to Your Neighbours”.
Kurse, poezitë do të marrin jetë përmes interpretimit nga Anisa Ismaili, Arbnesha Grabovci Nixha, Bibi Qena, Blerta Syla Surroi, Ergjan Mehmeti, Gili Hoxhaj, Ilire Zajmi, Maja Mitiq, Qendresa Kajtazi, Rudina Dembacaj, Sheqerie Buqaj, Vlora Ademi dhe Xhejlane Tërbunja.