Sunderland, i sapo-ngjitur në Premier League për sezonin 2025/26, është i vendosur të lërë gjurmë në merkaton e verës.
Objektivi kryesor i klubit është Gonzalo García, sulmuesi i ri që po shkëlqen si një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës për Klube, ku aktualisht kryeson listën e golashënuesve dhe ka qenë kyç për skuadrën e Xabi Alonsos.
Vetëm 21 vjeç, Gonzalo ka tërhequr interesin e klubeve nga të gjitha ligat më të mëdha evropiane. Aftësia e tij për të finalizuar, për të lëvizur mes vijave dhe për të shënuar në momentet vendimtare, e ka futur në radarët e klubeve me shumë përvojë në këto lloj negociatash.
Por Sunderland nuk dëshiron të mbetet pas dhe ka rikthyer një ofertë zyrtare në tavolinë.
Klubi anglez ka ofruar 30 milionë euro + 25% të shitjes së ardhshme, një formulë që mund të jetë shumë joshëse për Real Madridin. Kjo klauzolë do t’u mundësonte “Los Blancos” të përfitonin ndjeshëm në rast të një transferimi të ardhshëm të lojtarit – një skenar fare i mundshëm, duke parë nivelin dhe potencialin aktual të Gonzalos.
Për më tepër, negociata përfshin edhe një klauzolë rikthimi prej 40 milionë eurosh, që i lejon Madridit ta blejë sërish lojtarin në të ardhmen, nëse ai vazhdon me këtë ritëm zhvillimi.
Në Angli po ndihet një atmosferë entuziazmi. Zyrtarët e Sunderland e dinë se nënshkrimi me Gonzalon do të ishte një goditje e madhe, veçanërisht për një skuadër që synon të stabilizohet në elitën e futbollit anglez pas rikthimit.
Të gjitha shenjat tregojnë se negociatat nuk kanë përfunduar, por një gjë është e qartë:
Sunderland ka hyrë seriozisht në lojë./GazetaExpress/