Po, keni fituar më 14 shkurt. Edhe? - Gazeta Express
string(32) "po-keni-fituar-me-14-shkurt-edhe"

OP/ED

Gazeta Express

02/07/2021 14:17

Po, keni fituar më 14 shkurt. Edhe?

OP/ED

Gazeta Express

02/07/2021 14:17

Pushteti i ri vazhdon të përsërisë se më 14 shkurt ka arritur fitore plebishitare. Por kjo nuk mjafton, sepse më shumë se gjysma e votuesve presin punë, përkushtim e seriozitet nga qeveria e re. Fuqia politike nuk duhet të përkthehet në papërgjegjësi, arrogancë e komoditet.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Më shumë se tre muaj zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje po kujdesen që të na “kujtojnë” se më 14 shkurt të këtij viti kanë arritur fitore plebishitare në zgjedhje, duke e përdorur këtë si argument përballë kritikave që kanë të bëjnë me qeverisjen e Albin Kurtit. Sipas logjikës së tyre mjafton që partitë e pushteteve të kaluara janë ndëshkuar në zgjedhje, andaj nuk është e drejtë që të kritikohet Kurti i cili për tre muaj nuk mundet t’iu jep zgjidhje problemeve të grumbulluara ndër vite.

Është e vërtetë se fitorja e Vetëvendosjes ishte plebishitare, ishte votë ndëshkimi për partitë që kanë qeverisur. Por ky nuk është kurrfarë argumenti që të amnistohet qeverisja e Kurtit, ndonëse sapo i ka mbushur njëqind ditë.

Me votën në masë të madhe kundër partive që kanë qenë në pushtet, qytetarët ia kanë dhënë të gjitha mundësitë Kurtit që të qeveris, që të qeveris ndryshe. Me votën e tyre ata ia kanë besuar Kurtit një përgjegjësi të madhe, andaj dhe presin nga ai realizimin e zotimeve të bëra.

Janë Kurti dhe Vetëvendosja ata që kanë premtuar se nuk do të jenë si të tjerët para tyre. Janë Kurti dhe Vetëvendosja ata që premtuar se nuk do të ketë punësime partiake e familjare, nuk do të ketë nepotizëm. Janë Kurti dhe Vetëvendosja që kanë premtuar se do të sillen me përgjegjësi e jo me arrogancë.

Përkundër propagandës qeveritare – mbase legjitime në të tilla raste – njëqind ditët e para të qeverisjes kanë qenë të vakëta, aspak dinamike dhe as për së afërmi me pritjet e qytetarëve.

* * *

Teksa dëgjon Albin Kurtin duke numëruar, sipas tij, sukseset e qeverisë, të krijohet përshtypja se është një person krejt tjetër nga ai i fushatës parazgjedhore. Plot zotime të bëra i ka shkelur, por vazhdon të përpiqet t’i arsyetojë dhe t’ua mbush mendjen të tjerëve se ka të drejtë.

Nga një ndër prioritetet jo fort të rëndësishme para se ta marrë mandatin, çështjen e dialogut me Serbinë ai e ka vendosur nën numrin katër. Ndërkaq, për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, që dikur ishte “çështje orësh ose ditësh, por kurrsesi javësh”, tashmë ka harruar të flasë.

Kërkimfalja nga presidenti i Serbisë dikur ishte kusht për vazhdimin e dialogut, por tash ky kusht nuk përmendet. Siç “harrohen” edhe të tjera zotime që ishin kthyer në kauza dhe që e sollën Kurtin në pushtet.

Tash aktivistët e Vetëvendosjes ose familjarë të tyre po dalin të jenë ekspertë “të spikatur” teksa po rehatohen nëpër institucione, por që ata të partive të tjera në të kaluarën ishin të pazot e analfabetë.

Ndërkohë, Kurti nuk e ka hiç dert t’iu rekomandojë gazetarëve që të mos e pyesin për tema të caktuara, të pakëndshme për të dhe këtë ua kushtëzon me paraqitje të tij më të shpeshta në konferenca për ta. Pra, në këtë mënyrë, me arrogancën që ia jep pushteti, ai “harron” që mediat i kishte aleatë në kauzat e tij kundër veprimeve të dëshme të pushteteve të kaluara. Për më tepër, ai përpiqet të gjejë armiq po te mediat, te gazetarët dhe opinionistët për sfidat që po i dalin në rrugë.

* * *

Është jokorrekte që Albin Kurti, me gjithë fuqinë politike që ka, të përpiqet të gjejë shkaktarë pse nuk mundet të qeveris si duhet, të gjejë armiq për të arsyetuar veprimet që dikur i kritikonte tek të tjerët.

Nëse ai pret se do të duatrokitet për çfarëdo që bën ose nuk bën, atëherë e ka gabim. Shumica dërmuese e gazetarëve dhe opinionistëve që kritikojnë tash Kurtin për bëmat e tij, janë të njëjtët që kanë kritikuar pushtetet e kaluara për bëma të ngjashme.

Askush nuk pret që qeveria e re t’i zgjidhë me farë shkopi magjik të gjitha problemet. Por, të gjithë presin që të mos bëjë veprime të ngjashme si ato të kaluarat. Sepse Kurti ka ardhur në pushtet me zotime që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit e nepotizmit, me zotime që kanë të bëjnë me reforma në arsim, shëndetësi e administratë. Kurti ka ardhur në pushtet me zotime të forta përkitazi me dialogun me Serbinë, kundër krijimit të Asociacionit, kundër Minischengenit, kundër gjithçkaje që kanë proklamuar pushtetet e kaluara. Përpjekjet që fenomenet e njëjta, veprimet e njëjta t’i quajë me emra të ndryshëm, e shpërfaqin Kurtin ndryshe prej atij që ka qenë dikur. Nuk mjafton refreni për fitoren e 14 shkurtit, siç nuk mjafton as fakti se “partitë e vjetra” janë ndëshkuar. Ai është aty për të punuar, jo për t’u ankuar.