Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i është kundërpërgjigjur deklaratave të deputetit të VV-së, Armend Muja, lidhur me arrestimin e Shemsi Bahtirit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është arrestuar për trafik ndërkombëtar të drogës.
Qalaj, në një prononcim për KlanKosova.tv, tha se arrestimi i Bahtirit po i djeg Vetëvendosjes, prandaj po mundohen ta relativizojnë çështjen përmes deklaratave politike.
“Armend Muja është i njohur për deklarata që s’kanë kurrfarë kuptimi. Unë nuk kam përmendur shënime personale, por e di që personi në fjalë, i cili ka qenë jo vetëm aktivist, por aktivist i shquar i VV-së, është intervistuar në vitin 2019. Në vend që t’i bëjnë thirrje Prokurorisë që hetimi të shkojë deri në fund, ata merren me deklarata që po iu djegin shumë”, tha Qalaj.
Ai shtoi se hetimet për raste të tilla janë të ndërlikuara dhe kërkojnë kohë, duke shtuar se tashmë po shihet “kush është Vetëvendosja”.