“Po e shkatërron miqësinë me Amerikën”, PDK dhe LDK kritikojnë ashpër Kurtin pas deklaratave në SHBA - Gazeta Express
string(97) "po-e-shkaterron-miqesine-me-ameriken-pdk-dhe-ldk-kritikojne-ashper-kurtin-pas-deklaratave-ne-shba"

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 8:44

“Po e shkatërron miqësinë me Amerikën”, PDK dhe LDK kritikojnë ashpër Kurtin pas deklaratave në SHBA

Lajme

Gazeta Express

29/09/2025 8:44

Deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në ka ngjallur reagime të ashpra nga partitë politike në Kosovë. Kurti tha se pengesat në raport me SHBA-në janë në fushën e diplomacisë dhe se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit në veri të vendit. Sipas tij, SHBA e sheh si të rëndësishme ngritjen e Serbisë nga hemisfera lindore, për shkak të lidhjeve të ngushta të saj me Moskën.

Deptuetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas deklaratave të bëra nga Kurti kanë akuzuar këtë të fundit se po e shkatërron miqësinë me Amerikën dhe njëherit e kanë quajtur antiamerikan.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar Kurtit duke thënë se problemet e Amerikës nuk mund të jenë të tij, edhe sikur të donte ai

“Problemet e Amerikës nuk mund të jenë të tuat, Albin, edhe sikur të doje ti. A e kupton çfarë gjendje deliri dhe vetëmadhështie duhet për të folur në atë mënyrë? E pastaj të japësh leksione për demokraci e sundim të ligjit… Kushtetutën e keni shkelur me vetëdije dhjetëra herë. Kabineti qeveritar ose është me aktakuza, ose nën hetime. Vetë refuzon të paraqitet në prokurori për aferat multimilionëshe. Dhe megjithatë, flet për rend e ligj. Gërdi!”, ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Kurti po hyn në histori si “njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë”.

“Kurti, po hyn në histori si njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë. Kjo nuk është as trimëri, as vizion, por është aventurizëm politik dhe pavetëdije e plotë për pasojat. Këto “jo”-të e Kurtit, janë po-ja më e madhe për izolimin e Kosovës! Historia e Kosovës është e shkruar me gjakun e dëshmorëve tanë, mprehtësinë e udhëheqësve tanë historik dhe me ndihmën vendimtare të Amerikës. Pa NATO-n e udhëhequr nga SHBA, nuk do të kishte liri. Pa SHBA, nuk do të kishte pavarësi”, shkruan Reporteri.

“Pa SHBA, nuk do të kishte njohje ndërkombëtare. Sot, ai partner që na qëndroi pranë në ditët më të vështira po dëgjon nga ‘Kryeministri’ i Kosovës për veprime të papërgjegjshme dhe fjalë fyese. Dhe pasojat janë të qarta: ndëshkime nga aleatët, izolim ndërkombëtar, dobësim i pozitës së Kosovës në rajon. Kjo është fatura që po e paguajnë qytetarët tanë vetëm pse ‘Kryeministri’ i tyre nuk kupton se Kosova pa Amerikën nuk ka të ardhme. Kosova nuk është pronë e një personi. Kosova është amanet i gjeneratave që dhanë jetën për liri dhe i miqësisë me Amerikën që na e garantoi atë liri. Kush e rrezikon këtë miqësi, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit”, ka deklaruar ajo.

Kurse, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e akuzuar Kurtin për “anti-amerikanizëm të hapur” dhe tha se retorika e këtij të fundit rrezikon raportet strategjike të Kosovës

“Çka mësuam nga ekspedita e Albin Kurtit në shtetin, i cili po e afron Serbinë kah Perëndimi në kurriz të Kosovës?! E vetmja herë kur Albin Kurti nuk rren qenka kur thotë “Të jem i sinqertë”. Faleminderit që për herë të parë u bë i sinqertë! Më në fund me gojë të vet e pranoi se është një antiamerikan i përbetuar! Tha sapo e forcuam sovranitetin dhe demokracinë, Amerika u çu kundër. E pabesueshme! Paramendo, Amerika, si epiqendra e demokracisë në botë, si investuesi më i madh i lirisë, pavarësisë, shtet-ndërtimit. Amerika që ta ka ndërtu Policinë, që sot e dërgon në veri, që ta ka ndërtu ushtrinë, t’i ka trajnuar ushtarët, ta ka armatosur ushtrinë. Amerika që ta ka ndërtuar AKI-në, t’i ka ushtruar agjentët! Amerika që ka harxhuar mbi 30 miliardë dollarë në tri dekadat e fundit për të na bërë të lirë, për të na mbrojtur, për sovranitetin tonë. Amerika akuzohet sot nga Rusia dhe Kina se ka thyer të gjitha ligjet dhe rregullat ndërkombëtare për lirinë, pavarësinë e Kosovës. Ky është një mosmirënjos kriminal!”.

“Tha po ashtu se SHBA-ja, bashkë me BE-në dhe shtetet perëndimore, po mundohen të shkëpusin Serbinë sadopak nga ndikimi i Rusisë. Ndërsa, Rusia po mundohet që ta mbajë Serbisë larg ndikimit të SHBA-së, BE-së dhe shteteve të perëndimit. Por, tha ky nuk është problemi i tij. Pra, problemet e Amerikës nuk janë probleme të Kosovës. Skandaloze! Albin Kurti, duke kundërshtuar SHBA-në, BE-në dhe shtetet perëndimore, po pozicionohet përkrah politikës së Rusisë. Por, një gjë duhet ta dijë Albin Kurti: Ti je problemi më i madh që sot ka Kosova! Interesat amerikane asnjëherë nuk kanë qenë kundër interesave të Kosovës. Ti nuk i përfaqëson fatkeqësisht asnjërën. As interesat amerikane, as interesat e Kosovës. Ti i përfaqëson vetëm interesat…”, ka shkruar Behrami.