Ngrënia e mbetjeve të ushqimit të Krishtlindjeve disa ditë pas festës mund t’ju sëmurë seriozisht, paralajmërojnë autoritetet e sigurisë ushqimore.
Sipas Agjencisë së Standardeve Ushqimore (FSA) në Mbretërinë e Bashkuar, ata që duan t’i shfrytëzojnë mbetjet e ushqimit duhet t’i lënë fillimisht të ftohen në temperaturë dhome, e më pas t’i fusin menjëherë në frigorifer ose ngrirje.
Ekspertët theksojnë se lënia e ushqimit të gatuar për orë të tëra jashtë frigoriferit, ose vendosja e ushqimit ende të nxehtë direkt në frigorifer, rrit ndjeshëm rrezikun e helmimit ushqimor.
Kjo ndodh sepse krijohen kushte ideale për shumimin e shpejtë të baktereve të rrezikshme si salmonela dhe campylobacter, të cilat mund të shkaktojnë diarre, të përziera dhe të vjella.
Në udhëzimet e përditësuara për festat, FSA paralajmëron për 11 gabime të tjera të zakonshme, që sipas tyre mund ta “shkatërrojnë Krishtlindjen”.
“Hulumtimet tregojnë se jemi një komb që rrezikon me ushqimin gjatë festave, duke marrë shkurtesa të rrezikshme në kuzhinë, të cilat mund të lënë familjarë dhe miq seriozisht të sëmurë,” thuhet në deklaratën e FSA-së.
Rreziku është edhe më i madh për gratë shtatzëna, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe të moshuarit.
Gabime të shpeshta që rrisin rrezikun
Një nga gabimet më të zakonshme është shkrirja e gabuar e gjelit të detit, që çon në gatim të pabarabartë dhe mosarritje të temperaturave të sigurta në të gjithë mishin.
Një gjeldeti i ngrirë me peshë rreth 7 kilogramë mund të kërkojë deri në katër ditë për t’u shkrirë plotësisht dhe të paktën tre orë për t’u gatuar, thonë ekspertët.
Megjithatë, pothuajse dy të tretat e njerëzve pranojnë se e shkrijnë mishin në temperaturë dhome, kur në fakt kjo duhet bërë vetëm në frigorifer, në rreth 5°C.
Gabime të tjera përfshijnë:
Konsumimin e produkteve të qumështit, peshkut ose mishit të ftohtë pas afatit të përdorimit, vetëm sepse “duken dhe nuhasin mirë”.
Lënien e ushqimit të bufesë jashtë frigoriferit për katër orë ose më shumë.
Përdorimin e thikave dhe enëve që kanë prekur mish të papërpunuar, pa i larë mirë përpara përdorimit tjetër.
Helmimi ushqimor mund të ndodhë edhe për shkak të temperaturës së lartë të frigoriferit. FSA këshillon që ajo të jetë gjithmonë nën 5°C, pasi bakteret shumohen më shpejt në intervalin 8–63°C.
Peshku dhe mishi i gatuar mund të ruhen në frigorifer 3–4 ditë, ndërsa djathi zakonisht qëndron më gjatë se kremrat apo desertët me vezë.
Gjeldeti i gatuar mund të ngrijë deri në gjashtë muaj, por pasi të shkrihet, duhet të konsumohet brenda 24 orëve dhe nuk duhet ngrirë sërish.
Statistikat tregojnë se rreth 70.000 persona në Angli dhe Uells kërkojnë ndihmë mjekësore për helmim ushqimor gjatë periudhës së Krishtlindjeve, megjithëse FSA vlerëson se shifra reale mund të arrijë deri në 2.4 milionë, pasi shumë raste nuk raportohen.
Kujdes edhe për alergjitë
Agjencia u bën thirrje mikpritësve që të pyesin paraprakisht mysafirët për alergji ose intoleranca ushqimore, për të shmangur reagime të rrezikshme për jetën.
Gati një e treta e britanikëve nuk i pyesin mysafirët për nevojat dietike, duke rritur rrezikun e simptomave të rënda, përfshirë anafilaksinë, e cila mund të shkaktojë vështirësi serioze në frymëmarrje dhe emergjenca kardiake.
12 gabimet festive në ushqim që pothuajse të gjithë i bëjmë
Shkrirja në banak – Shkrirja e gjelit ose mishit në temperaturë dhome, në vend të frigoriferit (62%).
Rreziku i produkteve të qumështit – Konsumimi i kremit, djathit apo desertëve pas afatit (51%).
Gabimi i bufesë – Lënia e ushqimit jashtë frigoriferit për më shumë se 4 orë (36%).
Mishi i ftohtë pas afatit – Konsumimi i peshkut të tymosur ose mishrave të ftohtë pas datës (37%).
Harrimi i alergjive – Mos pyetja e mysafirëve për alergji ose dieta (30%).
Mbetjet e lëna jashtë – Lënia e ushqimit të mbetur për orë të tëra pa ftohje (16%).
Gatimi i pjesshëm – Gatimi i ushqimit përgjysmë dhe lënia jashtë për ta përfunduar më vonë (14%).
Gjeldeti gjysmë i gatuar – Moskontrollimi i plotë i gatimit sipas udhëzimeve.
Veglat e palara – Ripërdorimi i thikave pa pastrim të plotë.
Temperatura e frigoriferit – Moskontrollimi nëse është nën 5°C.
Mbetje njëjavore – Mbajtja e ushqimit të Krishtlindjeve për më shumë se dy ditë.
Ushqimi i nxehtë në frigorifer – Vendosja e ushqimit ende të nxehtë direkt në frigorifer. /GazetaExpress/