Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Turqinë për shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe për destabilizim të Ballkanit Perëndimor pas furnizimit me armë të Kosovës.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe nga shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës” ka shkruar Vuçiq të mërkurën në rrjete sociale.
Ai tha se është “tani plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe po ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane”.
“Serbia është një vend i vogël, por ne e kemi kuptuar qartë mesazhin,” shtoi Vuçiq, transmeton Gazeta Express.
Politico shkruan se Beogradi dhe Ankaraja kanë marrëdhënie të ndërlikuara, të karakterizuara nga bashkëpunimi ekonomik, por edhe tensionet historike e politike. Turqia mbetet një nga aleatët më të fortë të Kosovës dhe ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e saj në vitin 2008.
Komentet e Vuçiqit vijnë pas akuzave të mëhershme ndaj Shqipërisë dhe Kroacisë për nxitje të një “garë armatimi” në rajon, pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Kosovën në mars.
Ankaraja ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Vuçiqit, por zyrtarët turq më herët kanë mbrojtur bashkëpunimin ushtarak me Kosovën si pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes rajonale.
Në janar të vitit 2024, ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, dhe homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci, nënshkruan në Ankara një marrëveshje kornizë ushtarake për zgjerimin e bashkëpunimit në shitjen e armëve, ushtrimet e përbashkëta dhe programet e trajnimit.
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...