“Do të pi një kafe dhe do të kthehem.” Këto dyshohen të kenë qenë fjalët e Guillermo Ochoas në selinë e Burgos, pak para se të vendoste firmën në kontratë me klubin e divizionit të dytë spanjoll.
Por ai nuk u kthye më, duke shkaktuar një nga episodet më të çuditshme në historinë e transferimeve.
Portieri meksikan, 40 vjeç, kërkon ende një aventurë të re për të mbajtur gjallë shpresat për Kupën e Botës me kombëtaren e tij.
Ai kishte kryer dhe kaluar pa probleme vizitat mjekësore, ndërsa klubi ishte gati për finalizimin e marrëveshjes.
Madje, Ochoa kishte kërkuar disa ndryshime në kontratë, të cilat Burgos i kishte pranuar dhe kishte nisur përgatitjen e dokumenteve.
Megjithatë, pas “pushimit të shkurtër për kafe”, portieri nuk u kthye më.
Ai nuk iu përgjigj as telefonatave të klubit, duke e lënë marrëveshjen pezull, përcjell Gazeta Shqip.
Sipas mediave spanjolle, Ochoa ishte i pakënaqur me ofertën financiare: rritja e pagës iu duk shumë nën minimumin e ligës.
Për më tepër, klubi do të përfitonte 60% të të ardhurave të tij nga sponsorizimet, një kusht i papranueshëm për lojtarin.
Në pamundësi për të zgjidhur çështjen, Burgos iu drejtua një alternative të shpejtë: portierit Jesús Ruiz të Racing de Ferrol.