Përfundimisht, ndeshja mes Prishtinës dhe Trepçës’89 u shtye dhe nuk do të zhvillohet nesër.
Por, rreth kësaj kishte konflikt, pasi Prishtina nuk pranoi ta luante ndeshjen diku tjetër, shkruan Gazeta Express.
Kjo çoi në një debat mes tyre dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa tani janë përfshirë edhe tifogrupi i ekipit kryeqytetas, “Plisat”.
Në njoftimin e tyre ata thanë se FFK po punon kundër Prishtinës dhe se po e përdor fuqinë e saj t’i ndalojë ëndrrat në futboll.
Reagimi i tyre i plotë, pa ndërhyrje:
Reagim ndaj padrejtësive
Futbolli ka forcë të bashkojë e të inspirojë njerëzit, por Federata e Futbollit të Kosovës e përdorë fuqinë e vet që t’i ndalojë ëndërrat!
Në vazhdën e padrejtësive ndaj nesh, FFK me vendimet perfide të kësaj jave, duke mos e lënë Prishtinën t’i luajë ndeshjet në stadiumin e vet, po e godet direkt lojën e bukur të futbollit si dhe nuk po e lejon ligën të zhvillohet korrekt dhe secili ekip të luajë me kapacitetet e veta.
Njerëzve në Federatë, bashkë me grupe tjera të interesit në Kosovë, u pengon fakti që secili klub, secili qytet, e secili njeri është shumë larg prej sukseseve tashmë 1 shekullore të Prishtinës, andaj shpikin e krijojnë lloj-lloj kriteresh, të cilat ÇUDITËRISHT – VLEJNË VETËM PËR PRISHTINËN!!!
Prishtina, e cila i ka pritur gjithëherë klubet tjera, duke u dhënë “shtëpi” për t’i zhvilluar aktivitetet e veta, në vend se të falenderohet, goditet në mënyrë të ulët e padrejtësisht. Federata dhe Agim Ademi, NUK KANË TË DREJTË të ndalojnë aktivitetin e Prishtinës ne stadium, sepse nuk janë pronarë dhe as nuk e kanë në shfrytëzim të njejtin. Andaj ky vendim duhet të anulohet menjëhere dhe shkëlqimi i Prishtinës dhe këngët e Plisave në tribuna të kthehen në vend të vet.
Dhe kur e mendon se ky vendim vie pikërisht në kohën kur Prishtina konsolidohet dhe paraqet rrezik për klubet tjera pretendente për titull, si dhe kur stadiumi i kryeqytetit mbushet më shumë se cilido stadium tjetër i Kosovës, e kupton saktë që kjo Federatë me Agim Ademin në krye, së bashku me grupet tjera me ndikim në futbollin e Kosovës – NUK E KANË PËR QËLLIM ZHVILLIMIN E FUTBOLLIT, POR MANIPULIMIN E TIJ.
Por, ne jemi të vendosur që të mos i nënshtrohemi dallavereve e padrejtësive të njerëzve që nuk e duan futbollin, njerëzve që e urrejnë Prishtinën. Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë përgjegjësve ta anulojnë atë vendim skandaloz, e të na lejojnë të luajmë e të festojmë në shkallët e tadiumit tonë, e ata le të shtrengohen mire për ta shijuar suksesin e Prishtinës, sidomos sivjet, në 100 vjetorin e krijimit të klubit.
Prishtina i ka Plisat përherë mbrapa. Plisat janë të vendosur që sikur gjithmonë ta ruajnë qytetin, klubin dhe nderin tonë. Shtëpinë s’mund të na ndaloni!