Pas shortit të play-offit për Botërorin 2026, mediat në Sllovaki kanë nisur analizat e para duke e cilësuar Kosovën si kundërshtar “të panjohur, por për t’u respektuar”.
Termi “respekt” është më i përdoruri në raportimet e tyre, teksa Sekretari i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Peter Palenčík, theksoi se rezultatet e Kosovës e bëjnë atë një rival serioz.
“Të gjitha ekipet në barazh janë të forta. Kosova është e panjohur, por duhet respektuar,” tha Palenčík, duke shtuar se fakti që finalja eventuale luhet në shtëpi është një avantazh i madh për Sllovakinë.
Sllovakia duhet të vendosë deri më 26 nëntor se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja, me favorit Tehelné Pole në Bratislavë, i cili ka 22.500 ulëse.
Nëse zbatohen rregullat standarde, Kosovës i takojnë vetëm 5% e kapacitetit, rreth 1.200 bileta — shumë pak krahasuar me interesimin e tifozëve kosovarë, shkruan Gazeta Express.
Kjo ka ngritur dilema, pasi bëhet fjalë për një play-off me vetëm një ndeshje, dhe shumëkush vlerëson se FIFA duhet të detyrojë rritjen e kuotës për tifozët mysafirë.
Kosova dhe Sllovakia tashmë janë të fokusuara drejt përballjes së marsit, e cila pritet të jetë një nga ndeshjet më të nxehta të këtij play-offi. /GazetaExpress/