Plastika, një kërcënim i heshtur për shëndetin: Ekspertët kërkojnë veprim global - Gazeta Express
string(78) "plastika-nje-kercenim-i-heshtur-per-shendetin-ekspertet-kerkojne-veprim-global"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 23:11

Plastika, një kërcënim i heshtur për shëndetin: Ekspertët kërkojnë veprim global

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 23:11

Ndotja nga plastika po shihet gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz, por i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut. Një grup shkencëtarësh dhe mjekësh ndërkombëtarë ka ngritur alarmin përpara një konference të Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet një marrëveshje globale për menaxhimin e plastikës.

Në një analizë të publikuar në revistën prestigjioze The Lancet, 27 ekspertë paralajmërojnë se plastika dëmton shëndetin e njeriut në çdo fazë të ciklit të saj – nga prodhimi, përdorimi, deri te shpërbërja. Më të prekurit janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, që janë më të ndjeshëm ndaj substancave të dëmshme.

“Plastika ka vepruar si një rrezik i padukshëm, në hije të krizës klimatike dhe ndotjes së ajrit. Por provat e reja tregojnë se ndikimi i saj është shumë më i madh sesa mendohej,” tha Dr. Philip Landrigan, autori kryesor i raportit dhe drejtues i Observatorit Global për Shëndetin e Planetit në Boston College.

Këto deklarata vijnë në prag të një raundi të ri negociatash që do të zhvillohen në Gjenevë, ku delegatë nga 170 shtete do të diskutojnë një marrëveshje ndërkombëtare për reduktimin e plastikës. Raundi i mëparshëm në Korenë e Jugut dështoi për shkak të kundërshtimeve nga vendet që varen nga karburantet fosile, të cilat refuzuan të mbështesin kufizimet për prodhimin e plastikës.

Raporti nënvizon një lidhje të qartë mes ekspozimit ndaj plastikës dhe disa sëmundjeve të rënda kronike, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës, diabetin, problemet respiratore dhe dobësimin e sistemit imunitar. Megjithatë, një vlerësim i plotë i ndikimit të përgjithshëm në shëndetin global ende mungon.

Vetëm tre nga përbërësit kimikë më të përdorur në prodhimin e plastikës, përfshirë bisphenol A (BPA), shkaktojnë dëme që vlerësohen në rreth 1.5 trilionë dollarë çdo vit në 38 vende. BPA lidhet me mbi 237 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe 194 mijë vdekje nga goditjet në tru.

Për të monitoruar këtë çështje me më shumë kujdes, është krijuar një mekanizëm i ri i pavarur: Lancet Countdown on Health and Plastics, që do të vëzhgojë ndikimin e plastikës në shëndetin publik në nivel global.

Dr. Landrigan theksoi se nuk bëhet fjalë për ndalimin total të plastikës, por për reduktimin e përdorimit të saj të panevojshëm. “Duhet të dallojmë mes përdorimeve thelbësore dhe atyre të dëmshme – si plastika njëpërdorimshe, e cila përbën afro 40% të prodhimit botëror,” theksoi ai.

Ndërkohë që SHBA, të ndikuara nga politika e ish-presidentit Trump, vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjet mjedisore ndërkombëtare, ekspertët mbeten skeptikë për rezultatet e negociatave në Gjenevë. Megjithatë, disa vende si Brazili po marrin rolin udhëheqës dhe po shtyjnë për eliminimin gradual të plastikës më të rrezikshme./Albinfo.ch