Plane për dy ura të reja mbi Ibër – a është ky reagimi i Kurtit pasi ndërkombëtarët ia bllokuan hapjen e urës kryesore - Gazeta Express
string(116) "plane-per-dy-ura-te-reja-mbi-iber-a-eshte-ky-reagimi-i-kurtit-pasi-nderkombetaret-ia-bllokuan-hapjen-e-ures-kryesore"

Lajme

Gazeta Express

18/06/2025 17:12

Plane për dy ura të reja mbi Ibër – a është ky reagimi i Kurtit pasi ndërkombëtarët ia bllokuan hapjen e urës kryesore

Lajme

Gazeta Express

18/06/2025 17:12

Para më shumë se dy viteve nisën diskutimet për hapjen e urës së Ibrit e cila e ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut e cila aktualisht është e mbyllur për automjete. Madje ajo u lye e edhe u testua qëndrueshmëria e saj, mirëpo në asnjë moment Qeveria nuk e mori dritën e gjelbër nga bashkësia ndërkombëtare për ta jetësuar këtë ide. Kurti para disa ditësh funksionalizoi bordin e përbashkët të dy komunave, ndërsa sot u njoftua për nënshkrimin e projektit për ndërtimin e dy urave tjera mbi Ibër. A po heq dorë ai nga hapja e Urës së Ibrit?

Gazeta Express

Në prill të vitit 2023 këshilltarët komunalë në veri të Mitrovicës e miratuan kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Ky vendim ishte përkrahur nga qeveria Kurti, mirëpo jo nga ndërkombëtarët.

Kurti tentoi t’i bindë ndërkombëtarët që ta mbështesin për të hapur urën, mirëpo siç duket ka dështuar deri tash.

Pak ditë pasi u njoftua për themelimin e bordit të përbashkët të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut, ministri në detyrë Liburn Aliu ka bërë të ditur se është nënshkruar projekti për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër.

“Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekte këto që do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët”, ka shkruar Aliu.

Derisa kishte deklarime për hapjen e urës, Kurti kishte pritur në zyrë ambasadorë të shteteve të QUINT’it në korrik të vitit të kaluar. ZKM kishte njoftuar se ata kanë diskutuar edhe për hapjen e urës ër vetura.

“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit.”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në shtator të vitit të kaluar tha se tashmë nuk po diskutohet se a duhet apo jo të hapet ura, por po diskutohet se kur do të ndodhë kjo.

“Aty jemi duke bisedu me aleatët tanë, jemi duke bisedu edhe me KFOR-in, aty nuk është çështje e diskutimeve a duhet të hapet ura, apo nuk duhet të hapet ura. Është çështje e momentit kur duhet të hapet ura e prandaj edhe po diskutojmë”, kishte thënë Sveçla.

Ndërkombëtarët patën kërkuar që hapja e Urës së Ibrit të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. KFOR’i pati thënë se rihapja e urës është çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik, ndërsa ish emisari Lajçak se nuk është koha.  /GazetaExpress/