Plagosjet në “Duplex”, suspendohen dy policë, “Llepota” me katër të tjerë ende në arrati - Gazeta Express
string(82) "plagosjet-ne-duplex-suspendohen-dy-police-llepota-me-kater-te-tjere-ende-ne-arrati"

Gazeta Express

03/12/2019 16:44

Plagosjet në “Duplex”, suspendohen dy policë, “Llepota” me katër të tjerë ende në arrati

Gazeta Express

03/12/2019 16:44

Mbrëmjen e 9 nëntorit, në hyrje të klubit të natës “Duplex” në Prishtinë, një përleshje mes disa personave kishte eskaluar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Katër persona mbetën të plagosur, ndërkaq të dyshuarit për plagosjet kishin arritur t’i iknin policisë. Institucionet e sigurisë nuk kanë arritur t’i arrestojnë ende të gjithë të dyshuarit e këtij rasti, por kanë suspenduar dy zyrtarë policorë të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes atë natë, shkruan Gazeta Express

Ishin prezentë në momentin e gjuajtjes me armë zjarri mesnatën e 9 nëntorit, por dyshohet se dy zyrtarët policorë, I.H. dhe G.P., nuk kishin ndërmarrë asgjë në këtë rast dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Lexo Edhe:

Për këtë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka suspenduar nga puna I.H dhe G.P, zyrtarë policorë të Njësive të Specializuara (NJSO – Njësiti Special Operativ).

Kështu ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, i cili pas interesimit të redaksisë, ka dalë edhe me komunikatë për media për të njëjtin rast.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur  me incidentin që ka ndodhur më 09.11.2019 në diskotekën Duplex në Prishtinë, ka kërkuar informacione nga Policia Kosovës lidhur me veprimet/reagimet apo mos veprimet eventuale nga zyrtarët policorë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes sipas detyrës zyrtare apo edhe jashtë detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen/komunikatën e IPK’së.

Po ashtu, theksohet se hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK’së kanë analizuar edhe video-incizimet e siguruara nga kamerat e sigurisë në vendin e incidentit.

“Ky rast, bazuar edhe në  ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare (ex officio).

Më 18.11.2019 nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policorë të Njësive të Specializuara (NJSO – Njësitit Special Operativ) me inicialet G.P dhe I.H deri në përfundim të hetimeve”, bën të ditur IPK’ja.

Të dyshuarit po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Si ndodhi e tërë ngjarja dhe çfarë dihet deri më tani

Mesnatën e 9 nëntorit në rrugën “Rinia” në Prishtinë, një përleshje me grushte kishte eskaluar deri në përdorim të armëve të zjarrit.

Si pasojë e kësaj, katër persona kishin mbetur të plagosur dhe kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në pamjet e kamerave të sigurisë shihej se të dyshuarit fillimisht ishin fjalosur me sigurimin e më pas ishin përdorur edhe armët e zjarrit.

Një nga të dyshuarit kishte shtënë në drejtim të sigurimit, duke i goditur ata me armë zjarri në këmbë.

Ndërkaq po atë natë, policia në vendngjarje ka sekuestruar tri armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorur në këtë rast, i cili në polici është iniciuar si “Vrasje në Tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Hetuesit policorë kishin arritur t’i identifikonin nëntë persona të dyshuar, por deri më  datën 21 nëntor, policia kishte arritur t’i arrestojë vetëm dy prej të dyshuarve, derisa shtatë të tjerë ndodheshin në arrati.

Astrit Mehmeti i njohur si “Llepota” dhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën ‘Italiani’ janë ndër të dyshuarit kryesor lidhur me këtë rast..

Zyra për informim e Policisë së Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, dymbëdhjetë ditë pas incidentit, kishte theksuar se ata janë në kërkim policor.

“Bazuar në të dhënat që kemi deri tani, në këtë rast janë nëntë persona të dyshuar të cilët janë identifikuar nga ana e hetuesve policor. Prej tyre janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje 2 persona të dyshuar. Shtatë personat e tjerë të dyshuar ndodhen në arrati dhe janë në kërkim policor”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Policisë së Kosovës.

Mirëpo, i dyshuari Andi Pajaziti, është arrestuar nga policia mbrëmjen e 26 nëntorit. Policia kishte bërë të ditur se “Italiani” kishte rezistuar, duke tentuar t’i shmanget arrestimit. Kurse pas intervistimit, ai ishte dërguar në mbajtje

Ndërkaq, për kapjen e “Llepotës” është lëshuar edhe urdhërarrest. Kjo është bërë me kërkesë të Prokurorisë, e cila i ka dërguar atij ftesë që të paraqitet vullnetarisht në prokurori.

Sipas këtij urdhërarresti, Policia e Kosovës detyrohet ta kërkojë, ta arrestojë dhe ta sjellë para prokurorisë të dyshuarin i cili ende është në arrati.

Përveç “Italianit”, mbrëmjen e 26 nëntorit, një prej të dyshuarve të rastit “Tentim vrasje” në rastin “Duplex”, është vetëparaqitur në polici.

25-vjeçari A.P., pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

Derisa katër persona janë të arrestuar lidhur me këtë rast, pesë të tjerë, përfshirë edhe “Llepotën” ndodhen ende në arrati./GazetaExpress