Gazeta Sinjali ka siguruar informacione lidhur me rastin në fshatin Stanofc i Poshtëm të Vushtrrisë, ku një person dyshohet se ka plagosur me armë zjarri djalin e tij.
Burimet e Sinjalit brenda organeve të rendit bëjnë me dije se i dyshuari është Driton Bekteshi, ndërsa viktima është djali i tij, Ilir Bekteshi, 27 vjeç, i cili ka marrë plagë nga arma e zjarrit në dorën e majtë.
Pas plagosjes, viktima është transportuar me veturë private drejt QKUK-së në Prishtinë për trajtim emergjent.
Sipas dëshmive të para, ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ndërsa në vendin e krimit janë gjetur katër gëzhoja. I dyshuari, sipas një familjari, është larguar menjëherë pas incidentit me një veturë të tipit pikap, ngjyrë e bardhë, në drejtim të Prishtinës dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Njësitë policore dhe hetuesit janë në kërkim të të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit janë duke vazhduar.