Pjetër Budi dhe kultura e fasadës - Gazeta Express
string(33) "pjeter-budi-dhe-kultura-e-fasades"

Arte

Gazeta Express

04/07/2022 13:24

Pjetër Budi dhe kultura e fasadës

Arte

Gazeta Express

04/07/2022 13:24

Në këtë 400-vjetorin e Pjetër Budit, larg kulturës së fasadës, të përdorimit të politikës për të larë mëkatet me përkujtesën zyrtare, është rasti të përveçojmë albanologun danez, që punoi mbi librat e Budit nga viti 1954-1985…

Nga Behar Gjoka

Lexo Edhe:

Poeti pa varr, Pjetër Budi, që e mbytën në valët e lumit Drin, në prag të Krishtlindjeve në dhjetorin e largët të motit 1622. Thuhet aksidentalisht, ndërkohë shoqëruesit e tij, bashkë me Nikollë Lekën, që e pati gjurmuar nga viti 1616, kur poeti shkoi për herë të parë në Romë, për çudi shpëtuan. Viti 2022 shënon 400-vjetorin e ndarjes nga jeta të autorit, e ikjes së parakohshme, duke shënuar të parin martir të besimit dhe të gjuhës shqipe. Në këtë përvjetor, si gjithherët, hienat e pushtetit përpiqen që të shpëlajnë fytyrën me gjoja vëmendjen dhe përkujdesjen e panjohur.

Dy fjalë për kulturën e fasadës, e cila ka të bëjë me uzurpimin prej politikës të gjithë hapësirës, të jetës, kulturës, letërsisë dhe historisë, gjithnjë në shërbim të pushtetit. Atëbotë kur pushteti, sidomos pushteti që shemb teatrin, që nxjerr në ankand Butrintin, merr në sqetullat e përdorimit kinse kujdesin për artin, kulturën, figurat e historisë dhe kulturës, ndërpritet marrëdhënia dhe thuret lavdia e përkujdesjes, ose kultura e fasadës.

Kultura e shpërdorimit të figurës realisht ka nisur pak më herët. Vite më parë, në një festival poetik me emrin e Budit, nga organizatorët u theksua, se veprimtaria kryhet nën kujdesin e Dh. Çupit, deputete e Matit, përfaqësuese e PD-së. Atëherë, në prani të pjesëmarrësve të festivalit, kërkova që të mos lodhen me pajis me teserë partia Pjetër Budin, sepse nuk pranon.

Në vitin 2019, festivali poetik, gjithnjë simbas drejtuesve ishte organizuar nën kujdesin e Agron Malajt, kryetar i Bashkisë Mat, që nuk di të ketë lidhje specifike me kulturën dhe letërsinë, apo me veprën e Pjetër Budit. Qysh asokohe, tanimë e shtuar në përvjetorin e 400-të të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, u shfaq prirja për ta bërë socialist Budin, madje edhe “rilindas” të mbramë. Në fakt, Budi nuk ka nevojë të jetë as socialist, as demokrat. O njerëz, lëreni të qetë, në prehjen e përjetësisë në valët e Drinit!

Përpjekja për ta hipotekuar si përkujtim zyrtar, si model i udhëzuar nga Dr. që e kanë marrë titullin me patate, e veçmas nga shabanizmi i albanologjisë dhe studimeve letrare, asgjëmangut nuk i lë kujdesit fasadesk, ku as miza nuk fluturon pa praninë e Ramës, si dhe ku asnjë pemë nuk mbillet në televizor pa qenë aty Erioni i Bashkisë së Tiranës.

Pra, një model zyrtar, që nga qendra ka mbërritur në periferi, anekënd republikës së rrumpallës rilindase, ku liderët e radhës, të qeveriut, të bashkisë, të mëhallave apo katundit, me gjoja kujdes të posaçëm, si dikur nën udhëheqjen e partisë, udhëheqin kulturën, sportin, madje edhe fluturimin e harabelave të qiellës.

Budi, asnjë figurë e rëndësishme e kulturës dhe e historisë sonë, nuk ka pse privatizohet, zyrtarizohet dhe mozomakq të paraqitet në nivelin me mediokër të mundshëm. Pushteti në sistemin demokratik, nëse i ka mbetur hija të paktën, mbështet dhe krijon hapësira për përkujtimin e jo të udhëheqë përmasat e kulturës, shkencës dhe sportit. Çfarë nuk kam parë dhe dëgjuar për Pjetër Budin?! Kam parë në qytetin e Burrelit, kur përpara bustit kishin ngulur një pemë që ia zinte pamjen.

Kam dëgjuar që me 7 maj 2022, e paskërka përmendur Skënder Gjinushi, që me siguri e ka mësuar emrin e Budit, kur u bë kryetar i Akademisë së Shkencave, pasi la amanetet e PSD-së te Tom Doshi. Kam parë se sa shëmtuar është vendosur busti i Pjetër Budit tek oborri i shkollës së mesme të përgjithshme që mban emrin e tij në qytetin e Burrelit. Këtu mundet të vërë dorë bashkia, për të krijuar një pamje estetike, në hapësirën ku qëndron busti.

Në vitet e monizmit, kam dëgjuar pedagogë të UT, që e përmendnin si autor, pa lexuar asnjë nga librat e tij. Prej Budit kemi katër libra: “Doktrina e Kërshtenë” (1618), “Pasqyra e t’rrëfyemit”, “Rituali Roman” (ku gjendet edhe libri “Kush thotë meshë këtë kafshë (libër – B. Gj.) i duhet me shelbuom” në vitin 1621. Kam dëgjuar marrinat e analfabetizmit funksional, se Budi është përkthyes dhe përshtatës dhe nuk ka lidhje me poezinë. Në fakt, në librat e vet, Budi është përkthyes, poet dhe prozator.

Lënda e përkthyer, “Doktrina e Kërshtenë”, nga vepra homonime e Roberto Belarminos; “Pasqyra e t’rrëfyemit”, nga libri “Specvlum confessionis” të Emerio de Bonis; Rituali Roman, një kodifikim ritesh, ceremonish e lutjesh fetare, të cilat përbëjnë teksturën që trashëgojmë prej Budit.

Përgjithësisht, në studimet gjuhësore dhe letrare, materiali i përkthyer është përdorur si pasqyrë për të analizuar tekstet e autorit në gjuhën shqipe, pa hyrë në analizën e sjelljes në gjuhën shqipe të akteve të ceremonialeve fetare, madje duke lënë në hije të dyja anët e medaljes, përkthimin dhe praninë e shenjave letrare origjinale. Kontribut thelbësor është shkrimi, poeti, ku materia poetike përbëhet nga faqet e fundit të librit “Doktrina e Kërshtenë”, ku gjenden 19 poezi, e librit “Pasqyra e t’rrëfyemit”, ku ndodhen tri poezi dhe e “Rituali Roman”, ku ndodhet një poezi. Pra, janë 23 poezi gjithsej, me 3139 vargje në gjuhën shqipe, e organizuar nëpërmjet tetërrokëshit trokaik, vargut më të përhapur të poezisë shqipe, si dhe strofës katërshe/ kuaternës, me përjashtim të poezisë që gjendet te “Rituali Roman”, e cila derdhet me vargje monokolonë, si dhe me tetërrokësh të dyzuar, pra me gjashtëmbëdhjetërrokësh, një varg që do ta hasim më vonë në vargjet e poemës “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit, si dhe në disa poezi të Lasgush Poradecit. Zef Skiroi, njëri prej njohësve të parë të librave të Budit, shprehej: “… është e çuditshme se prej atyre që kanë thënë, ndoshta edhe me mospërfillje olimpike, ndonjë fjalë rreth Doktrinës së Budit askush të mos ketë ndjerë detyrën (përgjegjësinë) për të vënë në rëndësinë e duhur faktin që 110 faqet e fundit të saj përmbajnë 2884 vargje, pothuaj gjithnjë të zbritshme, të radhitura në 721 kuartina me rimë të alternuar…1 Kam lexuar “Historia e Letërsisë Shqiptare”, botim i Akademisë së Shkencave, në mes tjerash nënvizohet: “… duke mos qenë shprehje artistike e një qëndrimi të caktuar ideor emocional ndaj jetës, nuk mund të quhet letërsi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”2 , duke vendosur vulën përfundimtare të qëndrimit zyrtar ndaj poezisë së Budit.

Ndihmesa e autorit shqiptohet edhe në lëvrimin e prozës, e cila përbëhet nga parathënie, pasthënie dhe sidomos proza epistolare/letërkëmbimi (më i përhapur si shkrim), mbërrin në rreth 170 faqe, e shtrirë në të tre librat, si dhe në lëndën e librit më vete “Kush thotë meshë këtë kafshë i duhet me shelbuom”, që është analizuar dhe madje theksohet se si me këto tekste ka zënë fill proza shqipe, e cila u botua në vitin 2020, falë kontributit të Anton N. Berishës.

Në këtë 400-vjetorin e Pjetër Budit, larg kulturës së fasadës, të përdorimit të politikës për të larë mëkatet me përkujtesën zyrtare, është rasti të përveçojmë albanologun danez, që punoi mbi librat e Budit nga viti 1954-1985, duke realizuar transliterimin e veprës, analizën dhe vlerësimin e krijimtarisë së gjerë letrare të Pjetër Budit, ku do të veçoja thënie e tij “E marrë në tërësi së bashku me parathënien, letrën pastorale edhe përpjekjet poetike – vepra e Budit nuk është vetëm një manual i të rrëfyerit katolik; ajo është gjithashtu një tekst publicistik, një dokument i historisë kulturore.

Dhe është pikërisht stili i Budit që e ngre atë në sferën e letërsisë”3 , pra si një portretizim i qartë, i formuluar pa ekuivok, mbi vlerat e pranishme letrare në librin e dytë të Budit. /Panorama.al