“Nga tifozët te Garda Pretoriane e presidentit serb – Kush rreh në stadiume me urdhër të autoriteteve”. Ky është titulli me të cilin mediumi serb Radar e nis artikullin rreth incidentin që ndodhi ditë më parë në stadiumin e Beogradit, aty ku u panë fytyrat e njëjta që morën pjesë në sulmin terrorist të Banjskës.
Sipas Radarit, persona të njëjtë që morën pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë, për të cilin Milan Radoiçiq publikisht pranoi përgjegjësinë, janë parë në stadiumin “Rajko Mitiq” gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Anglisë, ku ushtruan dhunë fizike ndaj qytetarëve që shprehën pakënaqësi ndaj regjimit aktual përmes skandimeve.
Sipas burimeve të mirëinformuara të portalit Radar, në mesin e atyre që sulmuan spektatorët civilë ishin edhe Danilo Iliq, Danijel Djukiq, Marjan Radojeviq, Stefan Radojkoviq dhe Stefan Jovanoviq, të gjithë nga Mitrovica e veriut dhe Zvecani, të cilët në të kaluarën kanë vepruar nën komandën e drejtpërdrejtë të Milan Radoiçiqit.
Ata janë të njëjtët persona që kanë qenë të përfshirë në ngjarjet tragjike në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra një polic i Kosovës, dhe që nga ajo kohë, hetimet për incidentin ende nuk kanë dhënë rezultate konkrete.
Të njëjtët individë, së bashku me grupe të tjera të dhunshme, u vendosën në stadium për të shtypur çfarëdo lloj pakënaqësie nga publiku. Kur në tribuna u dëgjuan thirrjet “pumpaj” dhe ofendime drejtuar presidentit Aleksandar Vuçiq, ata reaguan menjëherë duke sulmuar qytetarë të pafajshëm me dhunë fizike. Mes viktimave kishte edhe studentë dhe aktivistë, të cilët ishin aty për të ndjekur ndeshjen e kombëtares.
Sulmi nuk ishte një incident i izoluar. Sipas raportimeve, kjo ishte pjesë e një aksioni të organizuar, ku përveç njerëzve të Radoiçiqit, morën pjesë edhe grupe nga Leskovci, përfshirë Aleksandar DjorDjeviq, luftëtar MMA dhe Milosh Stojkoviq nga fshati Grajevce, të cilët, sipas opozitës lokale, janë të lidhur ngushtë me Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb.
Nuk është hera e parë që këto struktura të dhunshme përdoren për interesa politike të pushtetit. Personazhe si Bojan Vujosheviq – Mrvica dhe Aleksandar Jankoviq – Aca Hari, të dy të njohur si pjesë e grupeve huligane të Partizanit, janë të dokumentuar si pjesëmarrës në ngjarje politike të organizuara nga SNS, duke u paraqitur si “studentë që duan të mësojnë”. Në realitet, ata kanë qenë pjesë aktive e sulmeve ndaj protestuesve paqësorë dhe kundërshtarëve politikë të regjimit.
Aca Hari është përmendur nga aktivistët e iniciativës ‘Beograd ostaje’, të cilët kanë publikuar edhe komunikime të tij ku flet për rrahjen e studentëve dhe përdor terminologji fyese për ta. Ai, bashkë me Mrvicën, ishin dërguar në Riga, kryeqyteti i Letonisë, gjatë Kampionatit Evropian të Basketbollit për të “qetësuar” tifozët që mbështesnin ekipin kombëtar me thirrje të fuqishme – përfundoi me përleshje fizike edhe aty.
Mirko Poledica, president i Sindikatës së Futbollistëve të Serbisë, thotë se “autoritetet kanë frikë nga publiku”, sidomos kur ata shprehin mendime kundër qeverisë. Sipas tij, angazhimi i personave të trajnuar për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në evente sportive është një sinjal i qartë i shtypjes sistematike të mendimit ndryshe. Poledica paralajmëron se në ndeshjen e ardhshme të Serbisë kundër Shqipërisë në tetor, mund të ketë edhe më shumë tension, sidomos nëse UEFA ndëshkon Serbinë për incidentet e fundit.
Analistët, përfshirë profesorin Marko Vujiq, theksojnë se lidhjet mes tribinave, politikës dhe dhunës janë një realitet i gjatë në shoqërinë serbe. Ai tërheq një paralelizëm historik me vitet ’90 dhe rënien e regjimit të Milosheviqit, ku pikërisht rebelimi i tribunave sinjalizoi një ndryshim të madh shoqëror. Sipas tij, Vuçiq sot po bën të njëjtën gabim – po përpiqet ta kontrollojë dhunshëm tribinën, por kjo po kthehet kundër tij.