Një javë pas hapjes zyrtare, dyert e pishinës publike të Gërmisë janë mbyllur të martën me kërkesë të Inspektoratit Sanitar.
Burime brenda këtij inspektorati i kanë thënë KOHËS se kërkesa për mbylljen e pishinës është bërë shkaku i dyshimit se cilësia e ujit nuk i përmbush kushtet që ajo të mbahet hapur.
E hapja, sipas burimit, do të bëhet kur të kryhet analiza e mostrës së ujit dhe të konfirmohet plotësimi i kritereve të parapara me Rregulloren për Pishina.
Version ndryshe kanë dhënë në menaxhmentin e pishinës. Menaxheri Mërgim Mula ka thënë se vendimi për mbyllje të përkohshme është marrë nga drejtuesit e saj.
Në ndërmarrjen “Sports Marketing”, që e menaxhon pjesërisht Pishinën e Gërmisë, kanë bërë të ditur në një postim në Facebook se vendimi është marrë me qëllim që ujit t’i bëhen analizat, sipas udhëzimeve të përcaktuara.
“Kemi vendosur që të mbyllim Pishinën e Gërmisë deri në rihapje, këtë të shtunë, në mënyrë që t’i kryejmë edhe një herë analizat e ujit, ashtu siç kemi vepruar vazhdimisht, duke i testuar edhe pompat e filtrimit, sipas udhëzimeve të përcaktuara”, thuhet në njoftim.
Në Departamentin e Ekologjisë Humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) kanë thënë se për analizën e mostrës së ujit nga pishina, kërkesa nga menaxhmenti i pishinës është adresuar të martën.
“Ne e kemi informuar Institutin Sanitar se nëse kërkohet asistenca jonë, ne do ta ofrojmë. Pishina e Gërmisë, sot, më 15.7.2025, na ka kontaktuar me kërkesë për të bërë analiza të rregullta të ujit gjatë sezonit veror 2025”, ka thënë Ergyl Bince, drejtor i Departamentit të Ekologjisë Humane në IKSHPK.
KOHA ka raportuar javën e shkuar se Pishina e Gërmisë është hapur zyrtarisht, pa u mbushur e tëra me ujë, teksa ka përcjellë edhe ankesat e disa vizitorëve për cilësi jo të mirë të ujit.