Në kontekstin aktual piktura Rrëmbimi i Europës (El Rapto de Europa) i ngjan edhe rrëmbimit të shpresës së njerëzve përmes popullizmit
Francisco Goya
Një dem i bukur, i fuqishëm kullot bashkë me kopenë. Europa, nimfa, mahnitet nga bukuria e tij dhe ofrohet që ta përkëdhelë atë. Papritmas demi bëhet agresiv, merr në shpinën e tij Europën dhe ikë me vrap. Kështu paraqitet ky mit antik ne pikturën e vitit 1772 të piktorit spanjoll Francisco Goya Rrëmbimi i Europës (El Rapto de Europa). Në fakt demi që e kishte rrëmbyer Europën e bukur ishte Zeusi i cili ishte maskuar në atë formë. Ajo çfarë vazhdon të na intrigojë kjo pikturë e Goya-s është mesazhi që ajo bartë në vete. Historia e një përdhunimi mitologjik e shprehur përmes pikturës, piktori Goya paraqet Zeusin e maskuar, i cili e rrëmben vajzën e mbretit fenikas Agénor. Kjo histori mitike përdhunimi shfaqet si nje rrefenjë e pafajshme, sepse aty është një dem dhe një vajzë e bukur, Europa, e cila mahnitet nga bukuria e këtij demit, mirëpo, e gjithë kjo pamje e pafajshme në shikim të parë, në fakt nxjerr një nga krimet më monstruoze të përdhunimit.
Kjo pikturë e Goya-s më pastaj ka shkaktuar lloj-lloj interpretimesh për situata të ndryshme, që me shfaqjen e Revolucionit Borgjez Francez, ardhja e Hitlerit në pushtet e deri tek komunizmi janë cilësuar si tendencë për rrëmbim të Europës ose përdhunimet që i kanë ndodh asaj në emër të së mirës. Duke marrë parasysh vetë temperamentin e piktorit Goya dhe përcaktimet e tij intelektuale, risjellja e kësaj historie përdhunimi nëpërmes pikturës ëshë edhe një akuzë e tij që i bënte abuzimit seksual të fëmijëve nga ana e Kishës. Kleri që abuzonte me fëmijët e që i ngjanin brishtësisë së Europës, para fëmijëve paraqiteshin si dema të bukur, të fuqishëm dhe të padëmshëm, por që në fakt mbrapa këtyre karakteristikave fshihej monstruoziteti i tyre dhunues. Jo rastësisht, kjo analogji ishte vërejtur nga Kisha dhe kishte nxjerrë një dekret për mosshfaqjen e kësaj pikture në publik.
Relevanca që një pikturë ose një vepër arti që mund ta ketë lidhet ngushtësisht edhe me interpretimin në kohë dhe kontekste të caktuara. Kur një vepër arti, siç është kjo pikturë e Goya-s, gjen interpretim dhe analogji edhe pas 250 viteve jep me kuptu fuqinë që mund ta bartë ajo vepër. Sepse në kontekstin aktual piktura Rrëmbimi i Europës (El Rapto de Europa) i ngjan edhe rrëmbimit të shpresës së njerëzve përmes popullizmit. Edhe popullizmi i ngjanë Zeusit dem, i cili në emër të një zgjidhje të mirë dhe të barabartë për të gjithë, të një jetë dinjitoze dhe pa brenga përdhunon çdo normë sosciale, prish çdo ekuilibër duke zhvatur mirësinë dhe brishtësinë e njerëzve me halle. Kështu që, një vepër arti i ngjan një shishe me verë, sa më gjatë që i qëndron kohës aq më shumë rritën vlerat e saj.
/Gazeta Express