Piktura e javës / Me art kundër urrejtjes - Gazeta Express
string(39) "piktura-e-javes-me-art-kunder-urrejtjes"

Piktura e javës / Me art kundër urrejtjes

Arte

Dritan Dragusha

29/07/2022 17:45

Chagall përfaqëson më së miri njeriun e moshuar që nuk e la të shuhet asnjëherë fëmijën që kishte brenda

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

White Crucifixion – (Kryqëzimi i Bardhë) është konsideruar nga kritika si një ndër pikturat më interesant në krijimtarinë artistike të piktorit rus Marc Chagall. Mbase është ndër pikturat e rralla ku Krishti në Kryq paraqitet me ngjyrë të bardhë  dhe përveç kësaj, ajo çka e bën këtë pikturë shumë interesante dhe me rëndësi historike është sepse ajo u piktura më 1938, pra në prag të Luftës së Dytë Botërore. I indinjuar më trajtimin që nazistët kishin filluar t’ua bënin hebrenjve, e që vet Chagall ishte një hebre, paraqet këtë tablo, ku i lidhë një ngjarje biblike siç është kryqëzimi i Krishtit me dëbimet masive dhe vrasjet ndaj hebrenjve që vetëm sapo kishin filluar në Gjermanin naziste.

Në pikturën White Crucifixion, Chagall përmes simbolikave Krishtin e nxjerr me origjinë hebreje dhe ku përmes saj jep mesazhin se dhuna ndaj hebrenjve është edhe dhunë ndaj Krishti, gjithashtu, se nazistët lirisht mund të identifikohen me ata që vetë Krishtin e kishin varur në Kryq. Kjo metaforë, ky përngjasim siç duket është edhe momenti më impresionues dhe impozant njëkohësisht në këtë pikturë. Dominimi i bardhësisë në këtë pikturë të Chagall, sikurse edhe vet figura e Krishtit, japin me kuptu se do të ketë dhimbje dhe gjithsesi edhe shpresë. Në këtë pikturë, edhe përkundër dhunës dhe llahtarisë që po përjetonin hebrenjtë, nuk ka urrejtje. Ka indinjatë, por jo urrejtje.

Është interesant se artisti Chagall në karrierën e tij të gjatë, një nga tematikat qendrore nëpër pikturat e tij është dashuria. Prandaj, edhe ne pikturën White Crucifixion, sado që ka dhunë, ka vrasje, djegie dhe dëbime, përmes simbolikave të ndryshme vihet në pah edhe dashuria, butësia. Ndoshta kjo dashuri buron edhe nga fakti se Chagall gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë kishte ngulmuar që të mbetet një fëmijë dhe kjo vërehet sikur tek temat që trajton (që lidhen me të kaluarën, me fëmijërinë), ashtu edhe me fantazitë që i hasim nëpër piktura e tij. Ndoshta Chagall përfaqëson më së miri njeriun e moshuar që nuk e la të shuhet asnjëherë fëmijën që kishte brenda.

/Gazeta Express