Piktura e javës / Dielli lind vetëm njëherë - Gazeta Express
string(41) "piktura-e-javes-dielli-lind-vetem-njehere"

Piktura e javës / Dielli lind vetëm njëherë

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:30

Lindja e Diellit është rikthimi i përhershëm i së njëjtës, prandaj, në mënyrë metaforike mund të themi se dielli ka lind vetëm njëherë, atëherë kur këtë lindje e kishte shenjuar piktori Claude Monet  

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Claude Monet, njihet ndër themeluesit e impresionizmit. Ai përmes pikturave të tij jep pasqyrimin e realiteti që është i mbrujtur me ndjesi të brendshme të vet piktorit. Nëpërmes pikturimit të peisazhve ai paraqet një formë impresive të raportit të njeriut me natyrën. Duket sikur na bën vigjiljen karshi botës që na rrethon përmes bukurisë dhe brishtësisë që natyra bartë në vete njëkohësisht. E tillë është edhe piktura e tij Lindja e Diellit, që e vendosë njeriun karshi një kuadri sa të bukur po aq edhe të amshueshëm. Piktura Lindja e Diellit me të drejtë konsiderohet si shprehja më poetike e artit impresionist.

Kur të gjendemi karshi kësaj pikture, duket sikur vijmë pas një kohe të errët, pas një bote të trazuar, e që na duhet të kemi pak qetësi, pak diell. Thjeshtësia këtë pikturë e bën të veçantë ose siç do ta shprehej filozofi gjerman Immanuel Kant-i, kur flet për të bukurën dhe të madhërishmen, e ku sipas tij e madhërishmja karakteristikë të saj ka thjeshtësinë. Jo rastësisht kjo kryevepër e Monet hapi rrugën pastaj që të lind një lëvizje e re, e që kjo do të krijoi edhe një revolucion në botën e artit.

Pas kësaj pikture imazhi kishte tanimë një tjetër rëndësi, kurse teknika kishte avancuar deri në atë masë sa që mendohej se kjo çfarë kishte sjellë piktori Claude Monet përmes artit të tij dukej se ishte edhe paradhoma e imazhit digjital. Piktura Lindja e Diellit, gjithashtu, na jep, përveç ndjesisë, edhe momentin apo çastin i cili brenda vetes bartë ndjenjën e përjetësisë. Lindja e Diellit është rikthimi i përhershëm i së njëjtës, prandaj, në mënyrë metaforike mund të themi se dielli ka lind vetëm njëherë, atëherë kur këtë lindje e kishte shenjuar piktori Claude Monet.  

/Gazeta Express