Ashtu sikurse Narcisi i Caravaggio-s që vdes nga malli për veten edhe njeriu virtual duket se po tretet në pafundësinë virtuale
Dritan Dragusha
Narcisi është rrëfim mitik antik grek, i të cilit për herë të parë është paraqitur në librin Metamorfoza të poetit romak Ovidi. Meqenëse, kjo histori ishte shumë e njohur në kohën e Renesancës ky mit u paraqit edhe nga shkrimtarët Dante Alighieri dhe Françesko Petrarka. Në këtë mit antik grek bëhet fjalë për një djalosh shumë të bukur, por edhe shumë frikacak. Ai nuk shoqërohej me askënd, madje edhe kur nimfa Eko ra në dashuri me të, ai sillej me përbuzje dhe urrejtje ndaj dashurisë së saj. Për shkak të këtij përçmimi nimfa Eko vdiq nga pikëllimi. Afërdita, hyjnesha e dashurisë dhe bukurisë, si dënim për këtë përbuzje ndaj dashurisë, ajo bëri që Narcisi të dashurohet me vetveten. Kur një ditë po kalon pranë një pellgu me ujë, Narcisit i zë syri një pamje të mahnitshme në momentin që pa reflektimin e tij. Ai bie në dashuri marrëzisht me reflektimin e tij dhe në një moment ai përkulet që ta puthë, por kur buzët e tij prekin ujin, valëzimet e ujit e turbullojnë reflektimin. I frikësuar se mos e trembi dashurinë e tij të sapogjetur, Narcisi ashtu kërrusur pret deri sa uji të qetësohet. Pasi uji u qetësua ai vazhdon të qëndroj mbi ujë ashtu i kërrusu, duke e shikuar me admirim veten e tij në atë reflektim edhe nga frika se mos dikush po ia tremb dashurinë e tij të përjetshme . Aq gjatë qëndron mbi atë reflektim, derisa të vdesë nga etja.

Nga ky rrëfim mitologjik ishte inspiruar edhe piktori i madh Michelangelo Merisi da Caravaggio, i cili kishte bërë pikturën e tij të famshme Narcisi (e pikturuar në mes viteve 1597-1599, me dimensione 110 x 92 cm). Kjo pikturë paraqet një djalë të ri shumë të bukur që bie në dashuri me veten pasi që nëpërmes reflektimit në një pellg me ujë kishte parë bukurinë e tij. Djali në pikturë paraqet një adoleshent me një veshje elegante, i cili mrekullohet nga ky reflektim, dhe kur sheh vetën sikur në pasqyrë përfshihet nga melankolia.
Caravaggio, nëpërmes pikturës Narcisi përshkruan errësirën që kemi përbrenda vetës, e të cilën ne mundohemi ta fshehim e ta ndrydhim vazhdimisht. Duke u mbyllur brenda ne mund të fillojmë që ta ndërtojmë një lloj vetëreflektimi të atillë për vetën tonë që nuk përkon me atë çfarë në të vërtetë jemi. Si për ironi, djali në këtë pikturë të Caravaggio-s, duket se sot i ngjanë njeriut virtual, njeri ky që vazhdimisht i ekspozohet vetëreflektimit nëpërmes medias digjitale. Rrjetet sociale sot, i ngjajnë atij pellgut të ujit, ku ne, sikurse Narcisi i Caravaggio-s, kemi rënë në dashuri me vetveten dhe si pasojë jemi përfshi nga një melankoli pothuajse depresive me dukjen tonë të replikuar pafundësisht. Ky pellg digjital është edhe reflektim i gjendjes sonë të dyzuar shpirtërore. Ashtu sikurse Narcisi i Caravaggio-s që vdes nga malli për veten edhe njeriu virtual duket se po tretet në pafundësinë virtuale.
/Gazeta Express