Piktorja e revoltuar nga dhimbja dhe inati - Gazeta Express
string(42) "piktorja-e-revoltuar-nga-dhimbja-dhe-inati"

Piktorja e revoltuar nga dhimbja dhe inati

Arte

Gazeta Express

03/04/2021 1:34

Piktura “Judith i preu kokën Holofernes” sipas protestantëve konsiderohet një histori e fshehtë.

Piktura biblike “Judith i preu kokën Holofernes” nuk është një pikturë e thjeshtë. Subjekti i saj është një revoltë e përhershme. Aty reflektohen dhimbja dhe inati.

Lexo Edhe:

Historia e Judithit i përket Dhjatës së Vjetër. Ajo u hoq nga Bibla Hebraike dhe, sipas protestantëve, konsiderohet një histori e fshehtë.

Ndershmëria, pastërtia dhe militantizmi i Judith e shndërruan atë në një simbol feminist. Për shumë, kjo është arsyeja kryesore pse u përjashtua nga Bibla Hebraike.

Sipas traditës, Judith sypatrembur, vendosi të ndërhynte për të shpëtuar izraelitët e tjerë nga pushtuesit asirianë.

Për shumë historianë, ajo është një shëmbëlltyrë, një mit.

Për të tjerët, është vetëm ngjarje historike dhe përkufizohet me Salome Alexandra, e vetmja grua e Judesë (e fundit që nuk përjetoi pushtimin e Judesë).

Emri Judith do të thotë “e nderuar”.

Së bashku me shërbëtoren e saj, ajo shkon në kampin e gjeneralit armik Holofernes dhe, pasi u jep informacione izraelitëve, fiton besimin e tij.

Një natë, Holofernes e fton në çadrën e tij, me qëllim që ta joshë dhe kur ai bie në gjumë, ajo i pret kokën.

Më pas kthehet fitimtare te populli i saj, me kokën e Holofernes-it në duar, ndërsa asirianët, që tashmë e kanë humbur udhëheqësin e tyre, largohen. Izraeli, më në fund, arriti të shpëtonte.

Edhe pse shumë shprehin dëshirën për t’u martuar me të, Judith zgjedh të mos martohet me askënd dhe i kthehet jetës së saj të përditshme.

Revolta e piktores

Pikturat e Artemisia Gentileski-t, që është cilësuar si më e egër se Caravaggio, ndonëse u nënvlerësuan, janë art i mahnitshëm.

Artistja, e cila përjetoi ferrin, e ktheu në art magjepsës. Artemisia, gjithë dhimbjen nga abuzimin seksual dhe ankthin, e shndërroi në vepër arti. “Forca” e saj e revoltës ishte peneli i saj.

Për shumë vite, emri i saj mbeti “i fshehur”. Më pas kjo do të ndryshonte, duke u kthyer në simbolin e feminizmit, e përjetësuar në vepra artistike.

“Kjo është ajo çfarë një grua me shpirtin e Cezarit mund të arrijë!” Këto fjalë i përkasin Artemisia Gentileski-t.

Nga një studente e Caravaggio-s, ajo u shndërrua në piktore të njohur. Veçse, për të mbërritur në këtë pikë, Artemisia Gentileski duhej të jetonte ferrin e saj.

Jeta

Artemisia Gentileski lindi më 8 korrik 1593, duke hyrë në histori si një nga piktoret më të rëndësishme të racionalizmit.

Piktori i shquar Horace Gentileski, babai i Artemisia-s, është bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i të madhit Michelangelo Merizi da Caravaggio.

Artistja e “pushtoi” këtë shkollë, duke sjellë një frymë krejtësisht mashkullore. Ajo studioi pranë të atit të saj dhe piktorëve të tjerë të mëdhenj.

Në moshën 12-vjeçare mbeti jetime. Kur do të mbushte 18 vjeç, Artemisia do të përjetonte ferrin. Agostino Tassi, bashkëpunëtor dhe mësues i babait të saj, e përdhunoi Artemisia-n.

Për të shmangur skandalin, 30-vjeçarja premtoi se do të martohej me të. Çka nuk ndodhi kurrë. Nëntë muaj më vonë, çështja shkoi në gjyq. Megjithatë, atje, Artemisia përjetoi sërish ferrin.

Sipas një dokumenti 400-vjeçar, ku janë të regjistruara procesverbalet e gjyqit, Artemisia ka folur pa hezituar, duke përshkruar me detaje sjelljen e neveritshme të mësuesit.

Shumica e dëshmitarëve e përshkruanin piktorin si një njëri paqësor dhe të talentuar. Një pjesë tjetër, si një person me karakter të dhunshëm. Disa madje dëshmuan se kishte ai vrarë ish-gruan. Por, kjo nuk u provua kurrë.

Në atë kohë, Artemisia u shpall fajtore nga prokurori. Dy mamitë, që u thirrën para gjykatësve në seancë dëgjimore, deklaruan se ajo nuk ishte e virgjër! Në të njëjtën kohë, gjykatësit  përdorën dhunë për ta detyruar të fliste nga dhimbja.

Por, para gjykatësit, Artemisia, gjithë dhimbje, e pa përdhunuesin e saj drejt e në sy dhe i tha “kjo është unaza e martesës që më premtove?”.

Agostino Tassi u la i lirë pas një seance dëgjimore që zgjati 7 muaj. Ai u shpall i pafajshëm pas ndërhyrjes të Papa Innocent-it. Me këtë të fundit kishte një marrëdhënie shumë të mirë, sepse kishte marrë përsipër të pikturonte muret në pallatin e tij.

Pas përdhunimeve të shumta (dhe nuk po flasim vetëm për ato fizike), Artemisia u nis për në Firence. Aty, do të martohej me një piktor tjetër, Pierantonio Stiatzezi. Ai bënte një jetë të mërzitshme.

Me ndihmën e bashkëshortit të saj, ajo ndërtoi vendin e saj të punës dhe zgjodhi asistentët që do të kishte. Shumica dërrmuese e punimeve të saj u referohen figurave biblike të grave, të cilat u poshtëruan, u mashtruan, u përdhunuan dhe josheshin nga burrat.

Ishte pikërisht “takimi” i dy grave që do t’i jepte të drejtën për të kërkuar titullin e studentes më të denjë dhe më të mirë të Caravaggio-s. Piktura biblike “Judith i preu kokën Holofernes” u krijua në Romë, rreth vitit 1620, kur artistja ishte larguar nga shtëpia e saj në Firence.

Dhe nëse dikush dëshiron të dijë se çfarë po ndodhte në mendjen e Artemisia-s, kur ajo ishte duke pikturuar veprën e saj, duhet të shohë fytyrat e Judith dhe shërbëtores së saj.