‘Piknik AFER-A’ - Gazeta Express
string(15) "piknik-afer-a-2"

‘Piknik AFER-A’

Arte

Gazeta Express

28/06/2022 16:58

Të dielën, më 26 qershor 2022, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe pjesëmarrësit e programit AFER-A, patën kënaqësinë të zhvillojnë ngjarjen njëditore Piknik AFER-A.

Piknik AFER-A me tetë artistët e rinj pjesëmarrës, Kreshnik Arifi, Renea Begolli, Ardijana Binakaj, Fitim Haziri, Lumturie Krasniqi, Aida Redžepagić, Erdonit Saqipi dhe artisti i ftuar Aron Bajrami, improvizuan studio pune në hapësirat e Klubit të Boksit, për të theksuar mungesën e këtyre hapësirave, por që shumë të nevojshme për zhvillimin e praktikës artistike dhe së bashku me publikun/miqtë, të krijojnë një hapësirë të përbashkët për të kaluar kohën, me mundësi për të biseduar drejtpërdrejt me artistët që stimulojne krijimin e marrëdhënieve të reja, krijimin e mjedisit të ri social dhe artistik, dhe promovuar rëndësinë e zhvillimit të këtyre hapësirave në praktikat sociale dhe artistike.

Lexo Edhe:

Për më shumë, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë gjithashtu është duke u angazhuar edhe në një hulumtim që synon të identifikojë dhe të mbledhë informata për hapësirat ekzistuese që përdoren si studio aktive nga artistët e pavarur dhe grupet artistike dhe njëkohësisht të identifikojë nevojat, problemet dhe potencialin e këtyre hapësirave.

Kreshnik Arifi, Renea Begolli, Ardijana Binakaj, Fitim Haziri, Lumturie Krasniqi, Aida Redžepagić, Erdonit Saqipi janë pjesë e programit AFER-A, të angazhuar në programin e praktikës në rolet: artist, asistent të programit dhe ngjarjeve, hulumtues dhe historian, dizajner grafik dhe asistent teknik.

Programi AFER-A i angazhimit si praktikant në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ofron mundësi për profesionistë të rinj, studentë universitarë apo të diplomuar dhe profesionistë fillestarë të angazhohen me punë dhe përvojë praktike në një fushë specifike të punës në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Krahas punës në modulin specifik programor të institucionit, praktikantët e angazhuar marrin pjesë në aktivitete të zhvillimit profesional të dizajnuara për të përmirësuar kuptimin e fushës së punës dhe programeve të Stacionit – Qendrës për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Muzeut të Artit Amerikan në Prishtinë.

Piknik AFER-A mbështetet nga Departamenti i Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Boro dhe Ramizi.

/Gazeta Express