Tifozi i njohur i Arsenalit, Piers Morgan, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij ndaj trajnerit Mikel Arteta, pas eliminimit të “Topçinjve” nga Carabao Cup me një humbje të thellë ndaj Newcastle United.
Skuadra e Eddie Howe siguroi një vend në finale pas një fitoreje 2-0 në St James’ Park, me gola nga Jacob Murphy dhe Anthony Gordon, duke e mbyllur gjysmëfinalen me rezultatin e përgjithshëm 4-0. Newcastle tani do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Liverpool dhe Tottenham.
Kjo humbje vjen pas eliminimit të Arsenalit edhe nga FA Cup në fillim të janarit, kur u mposht nga Manchester United pas penalltive. Kështu, shanset e “Topçinjve” për trofe këtë sezon mbeten vetëm në Premier League dhe Champions League.
Aktualisht, Arsenali ndodhet në vendin e dytë në Premier League, gjashtë pikë prapa Liverpool-it, i cili ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në Champions League, skuadra e Arteta-s do të përballet në raundin e 1/8-ës së finale me njërin nga skuadrat Juventus, PSV Eindhoven, Feyenoord ose AC Milan.
Në merkaton e janarit, Arsenali u përpoq të nënshkruante me një sulmues të ri, por nuk arriti të siguronte shërbimet e Ollie Watkins nga Aston Villa.

Arteta pranoi se ishte “i zhgënjyer” për mungesën e përforcimeve në vijën e sulmit, veçanërisht duke marrë parasysh mungesat e Gabriel Jesus dhe Bukayo Saka.
Aktualisht, opsioni i vetëm i njohur si sulmues qendror në ekip është Kai Havertz, gjë që ka shkaktuar shqetësime te tifozët dhe analistët.
Morgan, i cili njihet për kritikat e tij të ashpra ndaj Arteta-s, nuk e kurseu trajnerin spanjoll, duke e fajësuar atë për dështimin e klubit në tregun e transferimeve.
“Arteta e meriton këtë. Duhet të ndalojë së bërë justifikime qesharake dhe të pranojë përgjegjësinë për mosblerjen e një sulmuesi të mirëfilltë. Një vendim që do të thotë se edhe këtë sezon nuk do të fitojmë asnjë trofe”, shkroi ai në X.
“Pa një sulmues të nivelit të lartë, kemi dy shpresa: asnjë dhe Bob.”, shtoi ai në një tjetër postim.
Arteta ka fituar FA Cup në vitin 2020 dhe dy herë Community Shield me Arsenalin, si dhe e ka udhëhequr ekipin drejt dy vendesh të dyta radhazi në Premier League, pas Manchester City-t. Megjithatë, presioni mbi të po rritet, sidomos nga figura të njohura si Morgan, të cilët e konsiderojnë mungesën e një sulmuesi të klasit botëror si një pengesë kryesore për suksesin e Arsenalit këtë sezon. /GazetaExpress/
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...