Picula: Vuçiq po e humb kontrollin – protestat po rriten, por ai heziton të shpallë zgjedhje - Gazeta Express
string(88) "picula-vuciq-po-e-humb-kontrollin-protestat-po-rriten-por-ai-heziton-te-shpalle-zgjedhje"

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 12:53

Picula: Vuçiq po e humb kontrollin – protestat po rriten, por ai heziton të shpallë zgjedhje

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 12:53

Derisa protestat në Serbi po thellohen dhe përfshijnë gjithnjë më shumë qytetarë të pakënaqur, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po heziton të shpallë zgjedhje të parakohshme nga frika se pushteti i tij nuk është më i qëndrueshëm.

“Në tetë muaj ka ndodhur një evolucion i pakënaqësisë qytetare që po forcohet dita-ditës. Kjo tregon se Vuçiq ndjen se pushteti i tij nuk është më aq i fortë”, u shpreh Picula për Hrvatski radio.

Ai theksoi se protestat e fundit, të udhëhequra nga studentët, po artikulojnë qartë kërkesat për një hetim të pavarur mbi vdekjen e 16 personave, luftë kundër korrupsionit dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme. “Ata refuzojnë të lidhen me opozitën tradicionale dhe po shqyrtojnë një listë të pavarur me figura të respektuara nga shoqëria”, shtoi Picula, raporton Danas

Sipas tij, protestat e fundit u shoqëruan edhe me “një përdorim të hapur dhe të programuar të dhunës nga ana e autoriteteve”, gjë që ka shkaktuar edhe më shumë pakënaqësi në shoqëri. “Pres që kjo të nxisë një valë të re protestash”, paralajmëroi eurodeputeti.

Ai e akuzoi Vuçiqin se po shmang një nga mjetet që më parë e përdorte shpesh – zgjedhjet e parakohshme – pasi nuk ndjehet më i sigurt në mbështetjen popullore.

Sa i përket mungesës së flamujve të BE-së në protestat serbe, Picula tha se Serbia ende nuk ka tejkaluar mitologjinë nacionaliste që e ka përcjellë që nga vitet ‘80 e tutje, dhe se kjo pengon afrim real me vlerat evropiane.

“Vuçiq ka ndërtuar një demokraci fasadë. Shoqëria serbe prodhon mite të reja për të ruajtur ato të vjetrat”, përfundoi Picula.

Ndërkohë, eurodeputeti tjetër kroat, Tomislav Sokol nga HDZ, u shpreh skeptik për alternativën opozitare në Serbi, duke thënë se shumë nga pjesëmarrësit në protesta nuk janë pro-evropianë, por mbështesin mitet nacionaliste.

Ai shtoi se Vuçiq vazhdon të shihet nga disa fuqi ndërkombëtare si “garant stabiliteti”, pavarësisht qëndrimeve të dyfishta ndaj Perëndimit dhe Rusisë.