string(57) "picula-serbia-e-vuciqit-nuk-ka-vend-ne-bashkimin-evropian"

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 7:15

Picula: Serbia e Vuçiqit nuk ka vend në Bashkimin Evropian

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 7:15

Me 419 vota pro, 113 kundër dhe 88 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar Raportin dhe Rezolutën për Serbinë, të paraqitur nga eurodeputeti kroat Tonino Picula, raportues për Serbinë që nga nëntori i vitit 2024.

Në raportin e tij, Picula ka denoncuar rënien e standardeve demokratike, duke përmendur si simbol të korrupsionit sistematik rënien tragjike të një ndërtese në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. “Ky incident është bërë simbol i korrupsionit, nepotizmit dhe dështimit të mekanizmave mbikëqyrës që duhet të mbrojnë qytetarët,” deklaroi ai.

Ai në një intervistë për Pobjedën theksoi se Serbia vuan nga një sistem drejtësie që ndan drejtësi në mënyrë selektive, nga mungesa e lirisë së mediave dhe nga sulmet sistematike ndaj kritikëve të regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Sipas Piculës, vizita e Vuçiç në Moskë është konsideruar si një pikë kthese në marrëdhëniet me Brukselin. “Ai zgjodhi të bashkëpunojë me kundërshtarët e BE-së, si Putin, Orban dhe Fico,” tha Picula, duke shtuar se BE nuk mund të jetë kritike ndaj Putinit dhe njëkohësisht tolerante ndaj ndjekësve të tij në Ballkan.

Ai thotë se koha do ta tregojë që ky udhëtim i Vuçiçit në Rusi padyshim që ka rritur numrin e skeptikëve ndaj tij në Bashkimin Evropian, ndërsa për ata që nuk kanë pasur iluzione për natyrën e vërtetë të regjimit të tij prej kohësh, sipas Piculës vetëm sa ka forcuar bindjen se Serbia e Vuçiçit nuk ka vend në BE.

“Vuçiç e sheh BE-në si një bankomat – ajo është partneri më i madh tregtar dhe donatori kryesor i Serbisë, por jo një burim vlerash,” tha më tej eurodeputeti.

“Pavarësisht deklaratave për orientim drejt BE-së, autoritetet në Beograd nuk tregojnë vullnet të mjaftueshëm politik për të zbatuar reformat e nevojshme. Nuk ka sinqeritet në angazhimin ndaj vlerave themelore evropiane,” tha Picula.

Ai gjithashtu theksoi se mbështetja e publikut serb për integrimin evropian ka rënë ndjeshëm, duke fajësuar propagandën shtetërore proruse dhe ambiguitetin e vetë BE-së, e cila për shumë vite ka mbyllur sytë ndaj autokracisë së Vuçiçit.

Në raport, Picula kritikoi edhe qasjen e BE-së në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, duke përmendur se emisarët si Miroslav Lajçak apo përfaqësuesit amerikanë si Gabriel Escobar nuk kanë qenë mjaftueshëm të qartë dhe të vendosur ndaj shkeljeve nga Beogradi.

“Është e domosdoshme që BE të ndalë politikën e ‘stabilokratëve’, që ka ndihmuar regjime autoritare në Ballkan në emër të stabilitetit,” tha ai.

Picula vlerësoi lëvizjen studentore në Serbi si “element të ri të dinamikës politike” dhe shpresë për shkëputje nga autokracia aktuale. “Ata po kërkojnë përgjegjësi, drejtësi dhe largim nga korrupsioni,” tha ai, por pranoi se simbolika proruse e protestave pasqyron ndarjen e shoqërisë dhe ndikimin e propagandës shtetërore.

“Nuk ka alternativë më të mirë për Serbinë sesa anëtarësimi i plotë në BE,” tha Picula, por paralajmëroi se vetëm një angazhim real për reforma dhe vlera demokratike do të mundësojë këtë rrugë. Në të kundërt, “çdo qasje tjetër vetëm do të rrisë frustrimet dhe do të forcojë ndikimin e aktorëve të tretë, si Rusia.”