Eksperti amerikan për Ballkanin dhe profesor i njohur, David Phillips, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Ai thotë se shqiptarët janë të njohur për kokëfortësinë dhe sa më gjatë të zgjasë ngërçi, aq më e vështirë bëhet gjetja e një zgjidhjeje.
“Shqiptarët janë të njohur për kokëfortësinë e tyre. Sa më gjatë të zgjasë kjo ngërç, aq më e vështirë do të jetë të arrihet një zgjidhje”, tha Philips për Front Online.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Phillips shprehet se balanca aktuale e pushtetit nuk pritet të ndryshojë rezultatin, ndërsa thekson se ka ardhur koha që si qytetarët, ashtu edhe udhëheqësit politikë të veprojnë me më shumë maturi në interes kombëtar.
“Duke marrë parasysh balancën aktuale të pushtetit, nuk pres që zgjedhjet e reja të sjellin ndryshim. Ka ardhur koha që si elektorati, ashtu edhe udhëheqësit politikë të veprojnë me më shumë maturi në interes kombëtar”, u shpreh ai për Front Online.
Sa i përket ndryshimeve të mundshme në përqindjen e votave, Phillips thotë se votuesit duket se janë të vendosur dhe nuk ka shenja për ndryshim të madh, duke shtuar se bashkëbisedimet e qeta dhe konstruktive mes partive do të ndihmonin në arritjen e konsensusit.
“Duket se votuesit janë të vendosur dhe nuk do të lëvizin. Zyrtarët amerikanë duhet t’i mbledhin bashkë dhe të zhvillojnë një bisedë të matur”, tha tutje ai.
Lidhur me shqetësimet se pagat e punonjësve të sektorit publik mund të rrezikohen për shkak të mosmiratimit të buxhetit, Phillips tha:
“Kjo nënkupton një bllokim të qeverisë, të ngjashëm me atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Do të ishte një thirrje e hidhur për të gjithë partitë”, u shpreh ai.
Në lidhje me zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet pakicë, çështje që tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Phillips nënvizon rëndësinë e pjesëmarrjes së pakicave dhe sugjeron se sistemi do të funksiononte më mirë me përfaqësim të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Është e keqe që Kosova kërkon pjesëmarrjen e pakicave. Sistemi do të funksiononte shumë më mirë me përfaqësim të barabartë, në vend të politikave afirmative”, u shpreh ai
Më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës u mblodh me të vetëm pikë të rendit, atë për krijimin e qeverisë së re.
Kurti, në fjalën e tij pati lutur deputetët që ta votojnë qeverinë e propozuar nga ai, megjithëse ish-opozita nuk pati votë pro për kryeministrin në detyrë.
Qeveria e propozuar nga Kurti mori vetëm 56 vota “për”.